Lidhje

Inkursion i forcave izraelite në Betlehem - 2004-01-30


Zyrtarë palestinezë thanë se forcat izraelite kanë hyrë në Betlehem pasi një autor sulmesh vetëvrasëse vrau 10 veta në Jeruzalem.

Zyrtarët thanë se automjete të ushtrisë izraelite dhe ushtarë hynë në Betlehem në orët e para të mëngjesit. Inkursioni u zhvillua disa orë pasi grupi ekstremist palestinez Brigadat e Martirëve Al-Aksa mori përgjegjësinë për sulmin e se enjtes dhe njoftoi se autori i sulmit ishte nga zona e Betlehemit.

Në sulm autori vetëvrasës hodhi në erë një autobuz gjatë orëve të mëngjesit me trafik të dëndur më pak se 100 metra larg banesës zyrtare të kryeministrit izraelit, Ariel Sharon. Shpërthimi shkatërroi njërën anë të autobuzit dhe hodhi në erë gjysmën e pjesës së sipërme të tij. Pjesë trupash u gjetën në shtëpitë aty pranë.

Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se personat, që fshihen pas shpërthimit vdekjeprurës të së enjtes në Jeruzalem i kanë dhënë një goditje të rëndë aspiratave të palestinezëve për të pasur një shtet të tyre. Sekretari Powell i telefonoi ministrit të jashtëm palestinez, Nabim Shaath për t’i kërkuar që Autoriteti Palestinez duhet të marë masa kundër fraksioneve terroriste.

Zoti Powell telefonoi ministrin e jashtëm izraelit, Silvan Shalom për t’i shprehur ngushëllime për atë që ai e cilësoi si një sulm të tmerrshëm. Madje zyrtarët thanë se sekretari i shtetit i telefonoi zotit Shaath për të përsëritur atë që ai tha në takimin me gazetarët po dje se terrorizmi po vë në rrezik shpresat për krijimin e një shteti palestinez si dhe planin ndërkombëtar të paqes në Lindjen e Mesme, i njohur si Harta Rrugore.

“Sa më shumë kohë që kalon pa u bërë përparim, sepse ne nuk mund t’i japim shtytje procesit, apo se palët nuk mund të përparojmë për shkak të veprimtarive terroste, aq më e vështirë do të jetë arritja e objektivit të parashtruar në Hartën Rrugore për sa i përket afatit të caktuar kohor. Ka ardhur koha që terrorit t’i jepet fund dhe udhëheqja palestineze duhet ta kuptojë një gjë të tillë dhe të marë masa për t’u dhënë fund veprimtarive terroriste.”

Plani i paqes ose Harta Rrugore u propozua para një viti, por në përgjithësi nuk është zbatuar. Ai bën thirrje për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez nëpërmjet krijimit të dy shteteve deri në fund të vitit 2005.

//ze//

XS
SM
MD
LG