Lidhje

Demokratët  paraqesin idetë e tyre për reforma të ligjeve të imigracionit - 2004-01-30


Përfaqësuesit demokratë të Kongresit paraqitën idetë e tyre për reformën e të ligjeve të imigracionit, për të cilat thonë se do të ishin më të drejtë se ato që ka propozuar Presidenti Bush. Një gjë e tillë hap një betejë politike në këtë vit zgjedhjesh mes demokratëve dhe republikanëve lidhur me çështjen e imigracionit.

Propozimi që paraqiti presidenti në janar për imigracionin, do t’u jepte status ligjor miliona imigrantëve pa dokumenta dhe do të krijonte një program të përkohshëm për punëtorët e huaj që bëjnë ato punë që nuk duan t’i bëjnë amerikanët.

Presidenti Bush në fjalimin e tij për gjendjen e vendit nënvizoi avantazhet që ai mendon se ka plani i tij. “Kjo reformë do t’i shërbejë ekonomisë sonë, sepse punëdhënësit do t’i gjejnë punëtorët që i duhen përmes një sistemi të ndershëm dhe të rregullt. Një program punësimi i përkohshëm do të ndihmojë në mbrojtjen e vendit tonë, duke u dhënë mundësi strukturave të ruajtjes së kufirit dhe rendit të përqendrohen tek kërcënimet e vërteta ndaj sigurisë kombëtare”, tha presidenti.

Ndërkohë që propozimi është pritur mirë në disa qarqe, sidomos mes punëtorëve imigrantë nga Meksika dhe Amerika Qendrore, ai është kritikuar nga latino-amerikanët, përfshirë udhëheqës kryesorë latino-amerikanë në kongres.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, Luis Gutierrez është kryetar i Grupit të Punës për Imigracionin në Partinë Demokrate. “Nuk është e mjaftueshme që të pranohet nevoja për djersën, mundin dhe punën tonë. Po ashtu nuk është e mjaftueshme që thjesht të pranohet se roli ynë është jetik për krahun e punës për kompani të tilla si Walmart. Unë ju sugjeroj që të mësoheni me këto fjalë, sepse ne do t’ia përsërisim vazhdimisht presidentit dhe gjithë anëtarëve të Kongresit. Ne nuk mund të punojmë për vete dhe as për ju, nëse nuk na siguroni të drejtat bazë për ta kryer atë punë”, tha ai.

Zoti Guitierrez së bashku me udhëheqës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve shpallën ato që i quajtën “parime të përgjithshme për reformën e imigracionit”.

Ai thotë se Presidenti Bush e meriton të vlerësohet që po kërkon reformimin e një sistemi të keq imigracioni, por shton se propozimi i presidentit nuk i hap rrugën marrjes së statusit të përhershëm dhe shtetësisë nga imigrantët.

Cilado qoftë reforma e imigracionit, Kongresit do t’i duhet të miratojë një ligj të ri. Organizatat që përfaqësojnë latino-amerikanët duan të sigurohen për respektimin e të drejtave të punës dhe atyre ligjore që do të parandalonin shkeljen e të drejtave të punëtorëve.

Michelle Waslin është analiste për politikën e imigracionit në Këshillin Kombëtar La Raza, një shoqatë që punon në drejtim të uljes së varfërisë dhe diskriminimit në komunitetin latino-amerikan.

“Ne na duhet një program i përkohshëm punësimi që bën të mundur ardhjen e njerëzve ligjërisht këtu, por që gjithashtu garanton kushte të përshtatshme pune për të mbrojtur si punëtorët amerikanë, ashtu edhe ata imigrantë dhe duhet të garantojmë një rrugë që çon tek statusi i përhershëm dhe shtetësia për ata që vendosin të rrinë përfundimisht në Shtetet e Bashkuara”, thotë ajo.

Vlerësohet se në Shtetet e Bashkuara ndodhen aktualisht deri në 10 milionë imigrantë të paligjshëm.

Imigracioni, ashtu si siguria kombëtare dhe ekonomia kanë qenë një nga çështjet më të rëndësishme për kandidatët demokratë për president këtë vit dhe ka mundësi që të jetë po aq e rëndësishme në garën për Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit dhe të personit që partia demokrate do të emërojë si kandidat.

//rd//

XS
SM
MD
LG