Lidhje

Presidenti Bush kërkon shpjegime mbi armët e shkatërrimit në masë të Irakut - 2004-01-30


Presidenti Bush tha se kërkon të dijë, siç u shpreh ai, faktet rreth dështimit për të gjetur armë të shkatërrimit në masë në Irak.

Duke u pyetur dje nga gazetarët në se do të mbështeste një hetim të pavarur rreth informacioneve të agjencive të zbulimit para luftës në Irak, presidenti nuk u përgjegj drejtpërdrejtë, por tha se dëshironte të krahasonte informacionin e administratës së tij rreth Irakut para luftës me përfundimet e Grupit të Vëzhgimit në Irak, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Ish-kryeinspektori amerikan i armëve David Kay tha këtë javë se informacioni i zbulimit amerikan rreth armëve të shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit ishte “pothuajse i gjithi i gabuar”. Zoti Kay shtoi se do të mbështeste një hetim të pavarur rreth mospërputhjeve.

Presidenti Bush e përdori argumentin se Iraku përbënte kërcënim të menjëhershëm me armët e tij të shkatërrimit në masë si një arsye kryesore për të dërguar forca ushtarake kundër Bagdadit. Deri tani inspektorët nuk kanë gjetur armë të tilla.

Këshilltarja e lartë e presidentit Bush, Condoleezza Rice, pranoi të enjten se mund të ketë pasur gabine në informacionin e zbulimit para luftës. Zonja Rice tha se nuk është për t’u habitur që ekzistojnë ndryshime mes asaj që dinte Washingtoni para luftës dhe asaj që forcat kanë gjetur deri më tani në teren, sepse regjimi irakian i mbante gjërat sekret dhe ishte mashtrues.

Megjithatë, zonja Rice shtoi se nuk mendon që një hetim i pavarur rreth njoftimeve të agjencive të zbulimit është i nevojshëm, me që Agjencia Qëndrore e Zbulimit amerikan, CIA po bën vetë tashmë një rishqyrtim të punës së vet dhe sepse kërkimi për armë nuk ka marë fund ende.

//ze//

XS
SM
MD
LG