Lidhje

Një grup ndihmësish të kongresit amerikan ka në plan të shkojë muajin e ardhshëm në Iran - 2004-01-31


Një senator amerikan tha se një grup ndihmësish të kongresit ka në plan të shkojë muajin e ardhshëm në Iran për të krijuar kushtet për një vizitë të mundshme të anëtarëve të kongresit në atë vend.

Senatori Arlen Specter, tha se hollësitë e vizitës së personelit të kongresit u përfunduan në një takim mes anëtarëve të kongresit dhe ambasadorit iranian në Kombet e Bashkuara, Mohamed Javad Zarif.

Senatori republikan, Arlen Spector ishte mes ligjvënësve të të dyja partive, të cilët u takuan të mërkurën në Washington me ambasadorin e Iranit në Kombet e Bashkuara, Mohamed Javas Zarif.

Zoti Spector u tha gazetarëver se shpreson që kjo vizitë do të hapë rrugën për udhëtime në Iran nga anëtarë të kongresit amerikan dhe më vonë nga zyrtarë të administratës.

Departamenti i shtetit autorizoi vizitën e zotit Zarif në Washington dhe zëdhënësi i departamentit të shtetit, Richard Boucher, e bëri të qartë se administrata e presidentit Bush do të mirëpriste kontakte të kongresit me Iranin.

“Ne gjithnjë kemi inkurajuar shkëmbime, shkëmbimin e një populli me një tjetër, me iranianët, me Iranin. Pa dyshim që ne kemi nxitur udhëtimin në përgjithësi të anëtarëve të kongresit. Mund të them se administrata nuk shikon ndonjë problem në se anëtarët e kongresit arrijnë një marrëveshje për të vizituar Iranin.”

Ka pasur shenja të zbutjes së marrëdhënieve të acaruara amerikano-iraniane që kur Irani ra dakord lidhur me inspektime më të rrepta ndërkombëtare të programit të tij bërthamor në muajin tetor dhe pranoi një ofertë amerikane për ndihma, pas tërmetit që goditi qytetin Bam nga fundi i dhjetorit.

Delegacione të kongresit amerikan nuk kanë shkuar në Iran që nga revolucioni islamik i vitit 1979. Washingtoni dhe Teherani nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që nga kriza e pengjeve amerikanë, që u mbajtën në Teheran në vitin 1980.

//ze//

XS
SM
MD
LG