Lidhje

Shqetësime për sulme terroriste - 2004-01-31


Shoqëritë ajrore British Airways dhe Air France anulluan përsëri fluturime nga Evropa për në Shtetet e Bashkuara dhe anasjelltas me kërkesë të zyrtarëve amerikanë, të cilët përmendën prova të reja se Al-Kaida mund të përpiqet t’i përdorë aeroplanët si mjete shpërthyese.

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare njoftoi se shkëmbeu informacione të reja zbulimi rreth Al-Kaidës me Britaninë, Francën dhe qeveri të vendeve të tjera. Një zëdhënëse e këtij departamenti i cilësoi informacionet e zbulimit si kërcënime specifike dhe të besueshme.

Zëdhënësja tha se nuk ka planet për ta ngritur nivelin e gadishmërisë nga rreziku i sulmeve terroriste, ashtu siç u veprua gjatë periudhës së festave të fundit të vitit, kur pati një valë anullimesh dhe shtyrjesh të fluturimeve të shoqërive ajrore British Airways, Air France dhe shoqërive të tjera.

Zyrtarët e shoqërisë Air France anulluan dy fluturime nga Parisi për në Washington dhe dy të tjerë nga Washingtoni për në Paris të planifikuar për sot dhe nesër. British Airways anulloi 4 fluturimeve sot dhe nesër mes Washingtonit dhe Londrës si dhe një fluturim sot nga Londra për në Miami të Floridës.

Në një masë të ngjashme, shoqëria ajrore amerikane Continental Airlines njoftoi se ka anulluar një fluturim për sot nga Skocia për në Los Angeles.

XS
SM
MD
LG