Lidhje

Cilët janë faktorët për arritjen e suksesit ekonomik të një vendi? - 2004-01-31


Në listën e vendeve më të pasura përfshihen disa nga vendet më të vogla dhe më të mëdha të botës. E njëjta gjë mund të thuhet për vende që luftojnë varfërinë. Cilat janë faktorët që u mundësojnë vendeve të mëdha si Shtetet e Bashkuara apo të vogla si Norvegjia për të arritur sukses ekonomik dhe qëndrueshmëri politike?

Norvegjia ka një popullsi prej afro 4 presje 5 milion banorësh, më pak se shumë qytete të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Por fuqia blerëse e banorëve të këtij vendi është më e madhe se e qytetarëve të vendeve të tilla si Kina, India, Brazili dhe Indonezia.

Është e qartë, shpjegon profesori i Universitetit Brown, Enrico Spolaore, se suksesi përcaktohet nga faktorë të tjerë dhe jo nga sipërfaqja apo popullsia e një vendi.

Kolegu i profesorit Spolaore, Alberto Alesina, profesor i ekonomisë në Universitetin Harvard, e ka trajtuar temën e ndikimit të popullsisë në një libër të titulluar “Madhësia e Vendeve.” “Nga pikëpamja jonë, ekziston një balancë ndërmjet avantazheve të të qenit vend i madh dhe kostos që shoqërohet me një fakt të tillë. Avantazhi lidhet me mundësinë e një vendi të madh për të prodhuar në shkallë të lartë si dhe për të organizuar një rrjet të gjerë shpërndarjeje. Disavantazhi lidhet me larminë e individëve që jetojnë në këtë vend, të cilët përfaqësojnë preferenca të ndryshme”.

Vendet e mëdha mund të kenë përpjestimisht kosto më të ulët qeverisjeje: ata mund të kenë ushtri, sisteme qeverisëse dhe ambasada të një shkalle që nuk i rëndëjnë shumë popullsisë së madhe të këtij vendi. Por nga ana tjetër, përzierja etnike e këtyre vendeve shoqërohet edhe me preferenca të kundërta. Autori sjell si shembull çeçenët në Rusi apo shqiptarët e Kosovës dhe preferencat e këtyre grupeve etnike për shkëputje.

Për vende si Kina, sipërfaqja e madhe i dha mundësi këtij vendi të ekzistonte e izoluar nga bota, por me një kosto të lartë shton profesori Spolaore:

“Po të shqyrtojmë historinë e Kinës në 1 mijë vitet e fundit: Kina ishte në krye të njerëzimit në fushën e kulturës, teknologjisë dhe ekonomisë për periudha të gjata. Por duke qenë një vend shumë i madh me një shoqëri thuajse plotësisht të pavarur nga bota e jashtme, Kina vendosi të vetëizolohej plotësisht nga bota”.

Kur Kina vendosi të ndalë eksplorimet detare në shekullin e 15, ajo humbi mundësinë për të përfituar nga zhvillimi që po merrte Evropa. Zhvillimi i Kinës u pengua edhe nga vitet e izolimit komunist, por sapo ky vend hapi kufijtë për tregtinë ndërkombëtare afro një dekadë më parë, rritja ekonomike filloi me ritme të shpejta.

Profesori Spolaore thotë se vendet e vogla vuajnë më shumë në kushtet e izolimit. Ai sjell si shembull Shqipërinë nën regjimin e Enver Hoxhës: “Sipërfaqja e vogël e vinte Shqipërinë në kushtet më të këqija të mundshme. Pra një vend i vogël me kontkte tepër të kufizuara me botën. Kjo është situata më e keqe e mundshme për një vend të kësaj madhësie”.

Profesori Spolaore thotë se pas hapjes së kufijve, mosmarrëveshjet dhe korrupsioni i brendshëm janë bërë pengesë për zhvillimin:

“Konflikti është një ndër faktorët më të rëndësishëm në skenë. Kjo është kostoja e ekzistencës së grupeve dhe klaneve të ndryshme në konflikt me njëra-tjetrën”.

Dy profesorët thonë se në 50 vitet e fundit, me shpërbërjen e disa perandorive politike, janë krijuar një numër vendesh të reja më të vogla. Njëkohësisht, ka pasur edhe disa bashkime si në rastin e bashkimit të Jemenit të Veriut me atë të Jugut, bashkimit të dy Gjermanive. Pas problemeve fillestare që u shoqëruan me bashkimin, tani këta vende po përjetojnë rritje ekonomike. Ndërkaq, vende më të vogla që kanë përqafuar ekonominë e tregut si Malta, Zelanda e Re dhe Singapori po lulëzojnë.

Por vetëm ekzistenca e ekonomisë së tregut nuk garanton begatinë. Analistët thonë se politikat e tregut të lirë duhet të ndërthuren me politika të forta monetare. Qeveritë duhet t’u japin qytetarëve të drejtën të këmbejnë. Pra e drejta e zgjedhjes, e drejta e këmbimit, shteti ligjor dhe e drejta e pronësisë janë të një rëndësie të madhe. Të gjitha vendet që kryesojnë listën e vendeve më të begata janë provë e rëndësisë së këtyre faktorëve.//kk//

XS
SM
MD
LG