Lidhje

Senatori John Kerry mund ta forcojë pozitën e tij si pretendent kryesor - 2004-01-31


Anketat e opinionit publik tregojnë se senatori John Kerry mund ta përforcojë pozitën e tij si pretendenti kryesor për emërimin e partisë demokrate të martën e ardhshme kur në 7 shtete të mbahen zgjedhje paraprake dhe konferencat partiake.

Anketat e opinionit tregojnë se John Kerry, njëri prej 7 kandidatëve në zgjedhjet e së martës, gëzon më shumë mbështetje në shtetet Mizuri dhe Arizona dhe është gati në krye të anketave në shtetet Oklahoma dhe Karolina e Jugut.

Edhe shtetet Delaware, New Meksiko dhe Dakota e Veriut do të zgjedhin gjithashtu të martën delegatët për në kuvendin kombëtar të Partisë Demokrate, ku do të emërohet kandidati demokrat për në zgjedhjet e nëntorit. Kuvendi do të zhvillohet në Boston nga fundi i korrikut.

Senatori Kerry shpreson të vazhdojë të shtojë mbështetjen që siguroi në fitoret e para në konferencat partiake në shtetin Iowa dhe në zgjedhjet paraprake në New Hampshire.

Të premten, ai premtoi se po të zgjidhet president, do ta kthejë vendin në lulëzimin ekonomik të krijuar nga administrata e ish presidentit Bill Clinton. Senatori Kerry foli në forumin e kandidatëve në Karolinën e Jugut.

“Në se ju u pëlqyen 8 vitet e ekonomisë nën Bill Clintonin, juve do t’u pëlqenin edhe më shumë 4 vitet e para nën John Kerry sepse ne do të përsërisim të njëjtën gjë si zoti Clinton.”

Për 6 kandidatët e tjerë demokratë në garë, zgjedhjet paraprake të 3 shkurtit përfaqësojnë një mundësi për të ngadalsuar hovin e zotit Kerry dhe ndoshta për t’i dhënë shtytje fushatave të tyre.

Senatori i Karolinës së Veriut, John Edwards, ka thënë se i duhet të fitojë në Karolinën e Jugut për t’i dhënë shtytje fushatës së tij. Senatori Edwards theksoi prejardhjen e tij nga jugu gjatë një forumi votuesish dje në Karolinën e Jugut.

“Unë u rrita ashtu siç u rritët edhe ju. Unë jam nga i njëjti shtet që jeni edhe ju. Kam kaluar 20 vjet në sallat e gjyqit duke luftuar për ju, kundër korporatave të mëdha të Amerikës, kundër kompanive të mëdha të sigurimeve. Unë nuk do të harroj kurrë prejardhjen time dhe për këtë duhet të jeni më se të sigurtë.”

Ndërkohë, gjenerali në pension, Wesley Clark, dhe senatori nga Keneticat, Joseph Lieberman, po bëjnë përpjeke për të mbijetuar në zgjedhjet paraprake të 3 shkurtit, me shpresë për të fituar respektivisht në Oklahoma dhe në Delaware.

Ish-guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean, po përpiqet gjithashtu të sigurojë një fitore në një nga 7 shtetet, që do të zhvillojnë zgjedhje të martën e ardhshme, për t’i dhënë shtytje kandidaturës së tij. Para fillimit të zgjedhjeve paraprake më 19 janar në Iowa, zoti Dean ishte pretendenti kryesor për të siguruar emërimin e partisë demokrate për në zgjedhjet e nëntorit, po tani ai nuk gëzon më të njëjtën mbështetje, pas rezultateve zhgënjyese si në Iowa ashtu edhe në New Hampshire.

Zoti Dean zëvëndësoi manaxherin e fushatës së tij dhe i ka kërkuar personelit të fushatës që të pranojë të mos paguhet për pak javë në përpjekje për të kursyer fonde.

Senatori Kerry shpreson që demokratët në gjithë vendin ta mbështesin atë dhe fushatën e tij, pas fitoreve në 2 zgjedhjet e para në Iowa dhe në New Hampshire. Ekspertë të politikës, si Tom Defrank, shefi i zyrës së Washingtonit për gazetën New York Daily News, thotë se historia është në anën e zotit Kerry. Zoti Defrank mer pjesë në një emision të Zërit të Amerikës.

“Politika është si një lojë vrulli. Zoti Kerry është në pozita të mira për të fituar në zgjedhje të tjera paraprake javën e ardhshme. Mendoj se rivali i tij kryesor, Howard Dean, pak a shumë ka marrë fund.”

Votuesit demokratë i shikojnë ekonominë, kujdesin shëndetsor dhe arsimin mes përparësive të tyre kryesore për sa u përket çështjeve të brëndshme. Por zgjedhjet në New Hampshire treguan gjithashtu se shumë demokratë janë të shqetësuar më së shumti që të zgjedhin kandidatin më të fortë, për t’iu kundërvënë presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit.

Edhe Fred Barnes, redaktor i revistës Weekly Standart këtu në Washington, mer pjesë në të njëjtin emision të Zërit të Amerikës.

“Zakonisht një gjë e tillë nuk ndodh. Madje ndodh rallë në politikën amerikane. Por nuk ka dyshim që doli në pah në zgjedhjet paraprake në shtetin New Hampshire, ku rreth 1 e treta e votusve demokratë thanë se e hodhën votën për kandidatit, që ka mundësi të fitojë kundrejt presidentit Bush. Dhe gati të gjitha këta zgjedhës votuan për senatorin Kerry.”

Në zgjedhjet paraprake të 3 shkurtit kandidatët demokratë për president do të konkurojnë për të siguruar mbështetjen e 269 delegatëve. Kjo shifër është më shumë se 12 përqind e 2 mijë e 162 delegatëve të nevojshëm për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate.

Shumica e analistëve mendojnë se gara mes demokratëve do të vendoset efektivisht nga rezultati i zgjedhjeve paraprake të së ashtuquajturës Super e Marta, më 2 mars, kur 10 shtete, përfshirë Kaliforninë, New Yorkun dhe Ohion, zhvillojnë zgjedhje paraprake ose konferenca partiake.//kk//

XS
SM
MD
LG