Lidhje

Irak: 17 veta humbën jetën nga një valë sulmesh të kryengritësve - 2004-02-01


Të paktën 17 veta humbën jetën dje në Irak nga një valë sulmesh të kryengritësve, ndërkohë që autoritetet amerikane paralajmëruan për shtimin e akteve të dhunës në prag të festë ssë Bajramit.

Të paktën 9 civilë dhe policë irakianë humbën jetën kur një veturë e mbushur me eksploziv kaloi nëpër një post-bllok sigurimi para një stacioni policie në qytetin verior të Mosulit. 45 njerëz të tjerë u plagosën nga shpërthimi.

Në një sulm tjetër, zyrtarë amerikanë thanë se 3 ushtarë amerikanë u vranë kur automjeti i tyre u godit nga një shpërthim bombe në anë të rrugës midis Tikritit dhe Kirkukut.

Po dje më vonë, dëshmitarët thanë se të paktën 5 veta u vranë nga një seri shpërthimesh në një lagje plot njerëz të Bagdadit.

Në zhvillime të tjera, Këshilli Qeverisës i Irakut ka ndaluar përkohësisht pjesëmarrjen e gazetarit të rrjetit televiziv arab Al-Xhazira në konferencat e tij të shtypit në shenjë proteste ndaj disa komenteve të transmetura nga ky rrjet televiziv.

Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se në bazë të këtij vendimi, që do të zgjasë një muaj, punonjësit e Al-Xhazirës nuk do të lejohen të hyjnë në zyrat e qeverisë së përkohshme afgane, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Një zëdhënës i Al-Xhazirës, me seli në Katar, i tha agjencisë së lajmeve Rojter se një person që telefonoi bëri komente lidhur me Irakun gjatë një programi të transmetuar drejtë për drejtë, komente këto që ngjallën debate. Agjencitë e lajmeve nuk i transmetuan komentet ofenduese.

//ze//

XS
SM
MD
LG