Lidhje

Gjenerali Jones: NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës - 2004-02-01


Gjenerali amerikan, James Jones, komandant i lartë i NATO-s për Evropën, tha të dielën se shkurtimi i trupave të kësaj aleance, nuk do të dëmtojë misionin e forcave paqëruajtëse në Kosovë. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman, Holger Kamerhoff, diskutoi për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe transformimin e misionit të forcave paqëruajtëse e NATO-s në përgjithësi.

Gjenerali Jones tha se strategjia e shekullit të 20-të, kishte të bëjë me misione me numër të madh forcash, që nënkupton edhe mbështetje të madhe logjistike. Por atëherë NATO-ja ishte krijuar për mbrojtjen e Evropës dhe ishte më e lehtë të veprohej në këtë mënyrë.

Mirëpo, në shekullin 21, ajo synon të jetë më e përgatitur dhe të ketë një rol më të madh në pikëpamje globale. Për të arritur këtë duhet bërë shkurtime të trupave, përkatësisht transformim të misioneve. Ai tha se komandanti i KFOR-it, gjenerali Kammerhof, është duke dhënë një shembull për aleancën, duke krijuar një koncept të ri të organizimit të trupave në Kosovë, që nënkupton, tejkalimin e dallimeve në sistemin komandues të deritashëm ndërmjet kombeve përbërëse të KFOR-it, shkurtimin e trupave, dhe shtimin e efikasitetit të tyre. Por tërë kjo nuk ndryshon misionin, tha gjenerali Jones.

“Përkushtimi i aleancës do të jetë po aq i fuqishëm sa edhe deri tash dhe nuk ka asnjë synim për t’u larguar nga Misioni. Tërë ajo që dëshirohet është vendosja e një sigurie më të madhe nëpërmjet shfrytëzimit racional të trupave në teren”, tha gjenerali Jones.

Komandanti I KFOR-it, gjenerali Kammerhoff, tha se do të ketë zvogëlim të kampeve ushtarake në kuadër të transformimit të forcave paqëruajtëse, por efikasiteti i trupave do të jetë më i lartë më mbështetjen e teknologjisë moderne. “Nuk janë vetëm forcat paqëruajtëse ato që kujdesen për sigurinë, por edhe policia e Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimi Policor i Kosovës. KFOR-I dëshiron të kalojë sa më shumë pergjegjësi tek forcat policore, posaçërisht sa i përket vendosjes së rendit dhe ligjit”, tha gjenerali Kammerhoff.

Zyrtarët e lartë të NATO-s thanë se forcat paqëruajtëse janë të gatshme për të shkurajuar cdo kërcënim nga jashtë dhe për të siguruar përparimin në Kosovë.

Aktualisht, në Kosovë shërbejnë rreth 20 mijë trupa të NATO-s, ndërsa deri në fund të vitit numri I tyre është paralajmëruar të bjerë në rreth 17 mijë. Transformimet e reja mund ta bëjnë këtë numër shumë më të vogël, mirëpo zyrtarët e NATO-s tash për tash nuk duan të spekulojnë rreth këtyre numrave.//kk//

XS
SM
MD
LG