Lidhje

Fatmir Mediu: bashkëpunimi i opozitës është domosdoshmëri - 2004-02-02


Një grup politikanësh nga Shqipëria dhe Kosova ndodhen në Uashington, për të marrë pjesë në Mëngjezin e Lutjeve. Gjatë kësaj jave “Zëri i Amerikës” do të ketë rastin të intervistojë disa prej tyre në programin televiziv “Ditari”. Mes të ftuarve është edhe Kryetari i Partisë Republikane të Shipërisë, Fatmir Mediu, të cilin “Zëri i Amerikës” e intervistoi në “Ditarin” e datës 2 shkurt.

Zëri i Amerikës: Shqipëria duket se po përjeton momente të vështira kohët e fundit, fillimisht tragjedia e 9 janarit, shtimi i vështirësive ekonomike, rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe bukës, si dhe tensionet e vazhdueshme në gjirin e Partisë Socialiste në pushtet. Cili është mendimi juaj për situatën e përgjithshme që po kalon aktualisht vendi?

Fatmir Mediu: Mendoj se është bërë tashmë evidente për të gjithë shoqërinë shqiptare problematika e madhe, gjendja e rëndë ekonomike, pasiguria për jetën, problemet e mëdha sociale, pasiguritë e biznesit dhe një politikë represive për biznesin shqiptar nga ana e shtetit. Kjo vjen për shkak të mungesës së një qeverisjeje në Shqipëri, tendencës së një qeverisje që gjithmonë përpiqet nëpërmjet qeverisjes të përfitojë në mënyrë abuzive, të zgjerojë gjithnjë e më tepër korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar, që e përkeqësuan akoma më tej situatën edhe në aspekte të zhvillimit perspektiv të vendit. Kjo, natyrisht ka cënuar në mënyrë të ndjeshme edhe procese shumë të rëndësishme, siç është procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. Dihet qëndrimi i vendeve të Bashkimit Evropian dhe i vetë strukturave të Bashkimit në raport me Shqipërinë. Vetë takimet që pati Nano në Bruksel, natyrisht që përcollën mesazhin se Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e kësaj familjeje, në se ajo nuk respekton rregullat e lojës. Por ajo që është më shqetësuese, unë mendoj, është vetë pozicioni që ka vendosur kjo qeverisje me qytetarët shqiptarë, me biznesin shqiptar dhe me të gjithë jetën politike, sociale dhe ekonomike në vend, respektimin e insitucioneve, rregullave të lojës dhe sidomos në raportin që është vendosur me Parlamentin shqiptar.

Zëri i Amerikës: Çfarë alternativash shikoni ju, për daljen nga kjo gjendje?

Fatmir Mediu: Unë mendoj që të gjithë faktorët pozitivë të shoqërisë shqiptare, por në radhë të parë opozita, duhet të bëhen koshientë për të gjitha këto probleme që ka shoqëria shqiptare, jo vetëm thjesht për t’i evidentuar ato si probleme, por edhe për t’u angazhuar në zgjidhjen e tyre. Mendoj se këtu opozita duhet të jetë shumë e fokusuar, në radhë të parë në bashkërendimin e politikave të saj, në organizimin e një koalicioni të gjerë masiv të opozitës, në mëmyrë që të ketë një bashkërendim të të gjitha forcave politike të opozitës, përreth një platforme të qartë, një strategjie të qartë, e cila do të tregonte në mënyrë të qartë se cilat do të jenë rrugët, për të cilat opozita do të krijonte mundësinë për një qeverisje normale, por duke ndryshuar disi edhe atë që ka shprehur deri më sot politika shqiptare, një tendencë për të ndryshuar qeverisjen thjesht për hatër të disa politikanëve. Mendoj që është e domosdoshme që të përcaktojmë në mënyrë të qartë, se kush do të jenë njerëzit që do të qeverisnin nesër dhe cilët do të jetë ata, të cilët do të implementojnë këtë platformë qeverisëse, për të krijuar besimin tek qytetarët shqiptarë. Ka tendenca që të ketë lëvizje në shoqërinë shqiptare dhe kjo është mjaft pozitive. Unë nuk mendoj që opozita shqiptare duhet të përpiqet që t’i marrë nën angazhimin e vet këto lëvizje, por duhet patjetër që të bëhet pjesë e të njëjtit sensitivitet të shoqërisë shqiptare dhe të këtyre lëvizjeve. Pra, mendoj që duhet një bashkërendim i të gjitha krahëve të politikës shqiptare, i faktorëve pozitivë për të ndryshuar këtë lloj realiteti, i cili nuk është i lehtë për t’u ndryshuar.

Zëri i Amerikës: Pra, ju e mbështesni idenë e Partisë Demokratike për krijimin e një koalicioni të opozitës në këtë situatë?

Fatmir Mediu: Ka gjykime të ndryshme rreth kësaj çështjeje dhe ne, si Parti Republikane, kemi kohë që jemi futur në kërkesën e vazhdueshme që Partia Demokratike, zoti Berisha dhe gjithë opozita, duhet patjetër të gjejnë mënyrat e bashkërendimit të qëndrimeve, të politikave, për organizimin e një koalicioni të gjerë, që nuk është thjesht marrëdhënie ndërmjet individësh që drejtojnë partitë politike, por angazhimi i të gjithë elementëve më efektivë dhe më të qenësishëm të opozitës shqiptare, me një platformë e strategji të qartë. Ndërkohë ka filluar një ide e fundit e Partisë Demokratike për t’u hapur rreth qarqeve akademike. Unë mendoj që, as njëra dhe as tjetra, nuk e përjashtojnë njera-tjetrën. Është e rëndësishme që të vlerësohet çdo pjesë e politikës së opozitës shqiptare, ashtu siç duhet vlerësuar edhe pjesa intelektuale. Por mendoj, që nuk duhet të kapemi pas pozicioneve thjesht skolastike, por rreth realitetit konkret, me të cilin po përballet Shqipëria dhe kjo kërkon, që ata elementë që janë në politikë, të kuptojnë në radhë të parë përse janë në politikë, ata që janë përfaqësues në parlamentin shqiptar, duhet të luajnë rolin si përfaqësues dhe në fund të fundit, t’i japin mundësi shqiptarëve që të kuptojnë se cila është alternativa e opozitës. Besoj që opozita e ka të domosdoshme të transformojë luftën politike që është në Shqipëri, nga një luftë individësh, në luftë idesh dhe programesh, në mënyrë që të afrohen më tepër me shoqërinë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Shumë është folur në Shqipëri për pronat, për propjektligjin e pronave. Ditët e fundit Presidenti Moisiu pati edhe një takim me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Ekonominë për këtë çështje, mbi me ecurinë e projektligjit. Ju si Parti Republikane keni patur vërejtje lidhur me këtë ligj. Çfarë amendamentesh propozoni ju për të, në se ai do të miratohet?

Fatmir Mediu: Së pari, unë mendoj që kemi përcjellë në Parlament një ligj shumë më të qartë sesa qeveria, i cili synon uljen e kostos financiare për kompensimin financiar të pronarëve dhe kthimin konkret të pronës tek pronarët legjitimë. Projekligji që ka bërë OSBE-ja dhe që u nënshkruar nga disa deputetë të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, për mendimin është një projektligj thjesht supoziv, i cili nuk zgjidh çështjen e pronës private, por tenton për më tepër, në zgjidhjen financiare të këtij problemi dhe nuk ka për ta zgjidhur ndonjëherë, sepse fatura financiare këtij ligji është jashtëzakonisht e madhe, është me miliarda dollarë, në një kohë që dihen burimet dhe mundësitë e pagesës nga ana e shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, ai do të shtonte edhe koston mbi vetë qytetarët shqiptarë, sepse ata janë taksapaguesit në fund të fundit, në mënyrë krejt të padrejtë. Mendoj që pozicioni i Partisë Republikane nuk ka të bëjë aspak me zgjidhjen e interesave dhe probleme të një grupi të caktuar të shoqërisë shqiaptare, por ka të bëjë në fund të fundit, me respektimin e së drejtës së pronës, që është një nga të drejtata themelore, ka të bëjë me zhvillimin e ekonomisë shqiptare, bazuar mbi pronën private, cili është elementi bazë i ekonomisë së tregut, por edhe sidomos me fillimin e funksionimit të tregut të tokës në Shqipëri, që është baza për zhvillimin ekonomik të vendit, dhe nga mungesa e funksionimi të këtij tregu të tokës, janë qindra miliona dollarë, që çdo vit Shqipëria i humbet dhe është e domosdoshme që ne t’i kthehemi realisht tendencave të zhvillimit ekonomik në vend dhe jo sipas interesave të qarqeve të caktuara. Duke ngelur tek kjo pjesë e fundit, unë mendoj që kjo çështje nuk zgjidhet për faktin sepse korrupsioni me çështjen e pronës private në Shqipëri është i jashtëzakonshëm. Shpërndarja në mënyrë korruptive e pronës private, njëkohësisht edhe problemet dhe aferat e krijuara gjatë gjithë këtyre kohërave janë kaq të mëdha, sa që interesa të caktuara të qeverisjes, apo segmente të caktuara të politikës, bëjnë atë që pronarët të mos marrin atë që u takon.

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike do të organizojë më 7 shkurt një protestë të përgjithshme. A do të merrni pjesë ju si Parti Republikane në këtë protestë?

Fatmir Mediu: Unë e kam thënë, që opozita nuk duhet kthyer në një ushtri, që ka një komandant, që kur thërret, duhet të jetë e gatshme. Opozita duhet të jetë një opozitë që ulet, diskuton dhe përcakton se cilat janë alternativat e saj të qarta, që kanë të bëjnë me qytetarin shqiptar. Jo thjesht për t’iu bashkuar ndjesisë së protestës. Protesta ekziston tek çdo individ në Shqipëri, tek çdo familje, tek shoqëria në përgjithsësi. Është e domdosdoshme që opozita shqiptare, krahas bashkimit me ndjesinë e protestës duhet të japë edhe alternativën e saj të zgjidhjes. Është e thjeshtë të thuash që duhet të iki Nano, por është e domdosdoshme që opozita shqiptare të krijojë konfiguracionin e saj të plotë të mënyrës së qeverisjes, të njerëzve që do të qeverisin. Në këtë aspekt, unë mendoj që opozita ka shumë për të diskutuar brenda për brenda vetes së saj. A do t’i bashkohemi ne, ose jo, protestës së Partisë Demokratike? Ne s’kemi ndonjë ftesë të Partisë Demokratike për këtë çështje, por mendoj, që nuk mund t’i bashkohemi ftesave për të marrë pjesë në aktivitete, se sa duhet t’i bashkohemi ftesave, për të dalë në një konkluzion të përbashkët, të gjykimit të përbashkët, analizave, deduksioneve të përbashkëta, se si duhet të përballojmë situatat, në mënyrë që çdo element i opozitës shqiptare dhe i shoqërisë shqiptare të ndjejë që ka një pjesë të vetën dhe një rol të vetin, për të kryer në një lëvizje politike.

XS
SM
MD
LG