Lidhje

Shqipëria ka në krye një qeveri të paaftë, cinike dhe agresive - 2004-02-03


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, Kryeministri i Kosoves Bajram Rexhepi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të politikës shqiptare do të marrin pjesë të enjten në Mëngjesin e Lutjeve që organizon Shtëpia e Bardhë. Nënkryetarja e parlamentit të Shqipërisë, nënkryetare e Partisë Demokratike, Zonja Jozefina Topalli, thotë se vendi ka në krye një qeveri të paaftë, cinike, nganjëherë dhe agresive.

Zëri i Amerikës: Çfarë rëndësie ka për politikanët shqiptarë Mëngjesi i Lutjeve, që organizohet nga Shtëpia e Bardhë, ku marrin pjesë personalitete nga e gjithë bota?

Jozefina Topalli: Besoj se për çdo politikan, pjesëmarrja në Mëngjesin e Lutjeve është një rast i veçantë. Natyrisht, është për të mos u humbur, të paktën, një herë në vit; qoftë edhe për përmbajtjen, domethënien e kësaj dite, qoftë edhe për faktin se është një mundësi për të takuar politikanë të tjerë nga e gjithë bota që mblidhen aty atë mëngjes.

Zëri i Amerikës: Të kthehemi tek zhvillimet në Shqipëri. Partia Demokratike ka kërkuar përsëri zhvillimin e protestave. Çfarë synoni të arrini me to? Sa do të zgjasin këto protesta? Para rreth një muaji, opozita zhvilloi protesta të ngjashme, por pak rezultate u panë prej tyre. Çfarë ka ndryshuar kësaj here?

Jozefina Topalli: Përpara se të diskutojmë për protestën, mendoj që është e rëndësishme për audiencën që të kuptojnë se cilat janë arësyet që të çojnë në nevojën e protestave, cila është situata ekonomike-sociale e politike në Shqipëri, dhe besoj se, ashtu, si në shtetin tuaj dhe në të gjithë vendet e tjera, kur ke përballë një qeverisje që është e paaftë, e pamjaftueshme, cinike, nganjëherë dhe agresive, ti ke një mjet shumë demokratik për të shfaqur protestën tënde shpirtërore e mendore, kundër kësaj mënyre qeverisjeje. Kështu që në këtë aspekt, kjo protestë organizohet edhe në kuadrin e njëmujorit të ngjarjeve të 9 janarit, ku u mbytën rreth tridhjetë vetë, numri i saktë i të cilëve ende nuk është saktësuar përfundimisht, por është një protestë, në fakt, shumë më e gjerë se kaq, që ka të bëjë me prostesën e shqiptarëve për ngritjen e çmimit të bukës, për rritjen e çmimit të energjisë, për rritjen e çmimit të naftës, për rritjen e çmimeve të telefonisë. Në fund të fundit, politika thjeshtësohet tek sofra e çdo familjeje dhe çdo familje e sheh buxhetin familjar. Në qoftë se në 99% të këtij buxheti ato mundohen për të siguruar ushqimin, do të thotë se situata ekonomike, ekonomia në përgjithësi është shumë e sëmurë. Kështu që në këtë aspekt, në qoftë se nuk ndërhyhet dhe në qoftë se shqiptarët nuk reagojnë në kohë, dalja jashtë kontrollit është vetëm çështje kohe. Kështu që në këtë aspekt, kjo është një mënyrë për të shprehur protestën.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e analistëve thonë se qeveria e socialistëve në Shqipëri është më e dobët se kurrë më parë për një sërë arësyesh. Një pjesë janë arësyet ekonomike që ju sapo përmendët, shkaqe të tjera janë problemet e brendshme të vetë kësaj partie. Megjithatë, opozita, të paktën deri tani, duket se pak ka përfituar nga kjo gjendje. Përse nuk po arrin opozita ta paraqesë veten si një alternative e besueshme në Shqipëri?

Jozefina Topalli: Unë besoj se, si në çdo vend demokratik, jo vetëm se besoj, por kështu është për të gjitha vendet që pretendojnë se janë pluraliste, ka një rrugë përmes së cilës funksionon kjo demokraci, sado e brishtë që është kjo. Ato janë zgjedhjet. Problemi është se kur zgjedhjet brenda vetes nuk kanë komponenten “garë”, ato nuk janë më zgjedhje, dhe në këtë aspekt, çdo parti politike që, në vetvete, ka si synim marrjen e pushtetit, këtë pushtet ajo do ta realizojë (ose rrugën për të marrë pushtetin) përmes votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kur rezultati i zgjedhjeve kontrollohet, ose kur zgjedhjet blihen dhe shiten, natyrisht që çdo force politike në opozitë do i krijohej një “gap” i madh për të gjetur rrugën për të shkuar tek racionalja dhe tek normalja, ashtu siç funksionon në çdo vend tjetër. Kështu që në këtë aspekt, ky nuk është problemi i opozitës, është problemi i atyre që qeverisin. Megjithatë, ne mendojmë thellë për këtë problem të madh që ka të bëjë në fakt me atë që në pushtet është një oligarki, një oligarki e fuqishme financiare, që kontrollon të gjitha, jetën ekonomike, ka në dorë monopolet, kontrollon edhe rezultatin, nuk të lë që zgjedhja të jetë garë. Në këtë aspekt, ne po përpiqemi që të krijojmë një hark shumë të fuqishëm të shoqërisë shqiptare, që nuk mund të bihet dakord me këtë mënyrë të pamjaftueshme, jocivile, joprogresive, dhe jointegruese të qeverisjes aktuale dhe, të gjithë bashkë, të protestojmë dhe bëhemi një faktor shumë i besueshëm dhe efektiv. Dhe në fakt po ndihet një impuls politik tek ndërgjegja shoqërore e shqiptarëve dhe kjo është diçka pozitive.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, në Shqipëri vihet re një personalizim i theksuar i politikës. Kur dëgjon debatet, më tepër shikon kritika në plane individuale. A mendoni ju se kjo është strategjia e duhur për të ardhur në pushtet, që opozita të fitojë? A keni një strategji të saktë për të tërhequr atë pjesë të votuesve që janë të pavarur?

Jozefina Topalli: Personalisht, nuk jam shumë dakord me idenë që çdo gjë personalizohet. Natyrisht, opozita ka pjesën e vet të misionit të saj për të denoncuar dhe kjo është një pjesë e rëndësishme, por është e pamjaftueshme; natyrisht, do pjesën komplementare që është ajo për të cilën ju flisni, që është strategjia e saj dhe, në këtë aspekt, në pjesën e denoncimit unë e gjykoj se ajo është globale në kuptimin e trajtimit të të gjitha aspekteve të jetës politike, ekonomike, sociale të stabilitetit dhe të sigurisë të jetës së një vendi. Përsa i takon pjesës së dytë, ne jemi në një proces, proces që ka filluar prej kohësh, ndoshta, po ta ndjekësh nga fillimi, e vëren që po kalon në disa faza: pikërisht marrja dhe thithja e asaj pjese që ndoshta s’ka qenë e dukshme në sy të opinionit dhe të publikut shqiptar që është orientuar djathtas. Kemi kaluar në disa faza, e them këtë me bindje, për faktin se, për shembull, zgjedhjet lokale treguan që në shumë bashki ne arritëm të marrim shumë profesorë universiteti, shumë zëvendës-rektorë, mjekë, inxhinierë, që nuk ishin fare në strukturat e partisë, por që kanë ndërgjegjen shoqërore dhe kanë një impuls që, në momente të caktuara, duke ndjerë se jemi përtej kufirit të asaj që mund të lejohet më, kërkojnë të kontribuojnë. Në qoftë se ajo ishte një fazë e caktuar, tashti jemi në një fazë tjetër, për zgjerimin akoma më të madh të kësaj mundësie dhe të fuqizimit të opozitës, krahut opozitar.

XS
SM
MD
LG