Lidhje

SHBA: Kandidatët demokratë për president vazhdojnë fushatat - 2004-02-04


Në Shtetet e Bashkuara, kandidatët demokratë për president po vazhdojnë fushatat, një ditë pasi votimet paraprake dhe konferencat zgjedhore në shtatë shtete e konsoliduan edhe më shumë pozitën e senatorit John Kerry si kandidati kryesor.

Ishte një natë tjetër e madhe për John Kerryn. Senatori i Masaçusetsit i konsolidoi pozitat e tij, si kandidati kryesor demokrat me fitore në Arizona, Delaware, Missouri, New Mexico dhe Dakota e Veriut.

Senatori Kerry i priti rezultatet në shtetin e Washingtonit, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen të shtunën.

“Fushata jonë për një Amerikë më të fortë, të drejtë dhe të begatë, po shtrihet në të gjithë vendin. Dhe ne do ta marrim çdo gjë seriozisht. Do të konkurrojmë kudo dhe në nëntor do ta mundim George Bushin”.

Por votimet e djeshme ishin pozitive edhe për Senatorine e Karolinës së Veriut John Edwards. Ai fitoi në Karolinën e Jugut me një diferencë të thellë ndaj Senatorit Kerry dhe u paraqit shumë mirë në Oklahoma me shifra pothuajse të njëjta me ato të Gjeneralit Wesley Clark që fitoi atje.

Me rezultatet e favorshme dje, Senatori Edwards mesa duket është bërë rivali kryesor i Senatorit Kerry për emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për President dhe për të sfiduar Presidentin Bush në zgjedhjet e nëntorit. Senatori Edwards foli para simpatizantëve në Karolinën e Jugut.

“Ne vazhdojmë të jetojmë në dy Amerika të ndryshme. Dy sisteme të ndryshme shëndetësore, dy sisteme të ndryshme arsimore, dy sisteme taksash, dy qeveri, dy ekonomi. Nuk duhet të jetë kështu. Së bashku, ne do të ndërtojmë një Amerikë që të jetë e të gjithëve”, tha ai.

Rezultatet e djeshme sollën lajme të këqia për konkurrentët e tjerë demokratë. Senatori i Connecticutit, Joseph Lieberman u tërhoq nga gara presidenciale, pas paraqitjes së dobët, por premtoi se do të mbështesë kandidatin demokrat në zgjedhjet e nëntorit. “Votuesit e thanë fjalën e tyren dhe unë i bindem vendimit të tyre. Dua të them se jam i gatshëm të mbështes kandidatin e partisë sonë dhe do të bëj të gjitha përpjekjet që presidenti Bush të mos marrë një mandat të dytë”, tha ai.

Mbrëmja e djeshme ishte ndërkohë një zhgënjim tjetër për Guvernatorin e Vermontit Howard Dean që u përpoq të merrte veten nga humbjet në Iowa dhe New Hampshire.

Megjithëse rezultatet e së martës nuk ishin shumë të favorshme për të, zoti Dean tha se do ta vazhdojë garën.

“Ajo që dua unë dhe që besoj se e do çdo amerikan në këtë vend, është ndryshimi rrënjësor dhe institucional dhe një gjë e tillë nuk mund të realizohet me dikë nga brenda Washingtonit”.

Gjashtë kandidatët që kanë mbetur e zhvendosin sot fushatën në shtetet e Miçiganit dhe Washingtonit, ku të shtunën do të mbahen konferencat zgjedhore.

Votimi bëhet para Kuvendit të Partisë Demokrate në korrik, në të cilën delegatët do të përzgjedhin kandidatin që do të sfidojë Presidentin Bush.

Mes kandidatëve demokratë janë edhe aktivisti i të drejtave civile Al Sharpton, ish-guvernatori i Vermontit Howard Dean dhe anëtari Kongresit Denis Kucinich.

Zgjedhjet paraprake të dy marsit në 10 shtete, përfshirë Kaliforninë, Nju Jorkun dhe Ohajon pritet të jenë vendimtare për garën mes kandidatëve demokratë.

XS
SM
MD
LG