Lidhje

Trafiku njerëzor dhe pasojat e tij - 2004-02-04


Në një diskutim të organizuar dje nga Zëri i Amerikës, zyrtarë dhe ekspertë thanë se trafiku i qenieve njerëzore ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe përbën burimin e tretë për të ardhurat e krimit të organizuar. Ata thanë gjithashtu se për trafikun njerëzor shumë pak njoftohet në shtypin e vendeve ku ai është më problematik.

John Miller, zyrtari kryesor i departamentit amerikan të shtetit që merret drejtpërdrejt me luftën kundër trafikut njerëzor, tha në diskutim se asnjë vend i botës nuk ka mbetur pa u prekur nga trafiku i qenieve njerëzore.

Zoti Miller, ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, tha se tha se rrjedhojë e trysnisë që po u bëhet vendeve të ndryshme, është arritur një farë përparimi dhe njerëzit në këto vende po ndërgjegjësohen për problemin, ata po e kuptojnë që trafiku njerëzor është në fakt një skllavëri e ditëve tona.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka shpallur luftën kundër trafikut njerëzor si një prej përparësive të saj. Departamenti amerikan i Shtetit boton një raport të përvitshëm ku klasifikon vendet e ndryshme në bazë të përparimit ose mungesës së përparimit në luftën kundër trafikut njerëzor. Aktualisht Shqipëria bën pjesë në shkallën e dytë, së bashku me vende të tilla si Rumania, Bullgaria, Serbia, Hungaria, Moldavia e të tjera. Maqedonia është në shkallën e parë kurse Bosnja në të tretën.

Ish prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Arben Rakipi, tha në diskutim se krimi i organizuar në Shqipëri filloi pas vendosjes së kontakteve me krimin e organizuar italian dhe pastaj me rrjetet kriminale të Turqisë, Greqisë, Jugosllavisë e të vendeve të tjera. Ai tha se në rreth 80 përqind të rasteve, Shqipëria shërben si vend tranzit për trafikun njerëzor por në mjaft raste të tjera edhe si origjinë.

Duke folur rreth akuzave për lidhje me krimin e organizuar që politikanët në Shqipëri i drejtojnë rëndom njëri tjetrit, zoti Rakipi tha se këto akuza krijojnë një frymë mungese ligjshmërie, mungese respekti për institucionet. Ai tha se akuzat janë të vështira të provohen, por përderisa në vend nuk ka mekanizma për të verifikuar burimin e të ardhurave të politikanëve dhe të fondeve për fushatat e tyre elektorale, ai dyshon se ata kanë lidhje me krimin e organizuar.

Ish gazetari i Nju Jork Tajmsit, David Binder tha se luftën kundër trafikut njerëzor dhe krimit të organizuar në përgjithësi e pengon mungesa e policëve të kualifikuar, e prokurorëve dhe e gjyqtarëve të angazhuar si dhe e shkëmbimit të informacionit midis tyre. Ai tha gjithashtu se njoftimet e shtypit për këto çështje janë të pakta dhe jo të vazhdueshme.

Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë me miliona dollarë fonde dhe me ekspertë luftën kundër trafikut njerëzor. Zyrtarët amerikanë thonë se ky lloj trafiku, përbën burimin e tretë më të madh të të ardhurave për krimin e organizuar.

XS
SM
MD
LG