Lidhje

Kofi Annan: afati i 30 qershorit për krijimin e një qeverie të përkohshme në Irak mund të shtyhet - 2004-02-05


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, la të kuptohet se afati i 30 qershorit, i caktuar nga Shtetet e Bashkuara për krijimin e një qeverie të përkohshme në Irak, mund të shtyhet.

Zoti Annan tha se mund të ketë shtyrje, të cilat do të parandalonin kalimin e pushtetit siç ishte planifikuar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i bëri këto komente një ditë pasi u takua me zyrtarë të administratës së presidentit Bush në Washington.

Zoti Annan nuk pranoi gjithashtu të thoshte se kur do të dërgojë një ekip në Irak për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis myslimanëve shiitë dhe autoriteteve amerikane lidhur me mënyrat për krijimin e një qeverie të përkohshme.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për të punuar me udhëheqësit dhe popullin irakian për të përmbushur afatin e caktuar nga Këshilli Qeverisës i Irakut.

Ndërkaq, trupat amerikane në Irak arrestuan të mërkurën një të afërm të personit më të kërkuar në Irak, ish-nën-presidentit Izzat Ibrahim al-Duri. Zoti al-Duri ishte ndihmës i lartë i Sadam Huseinit dhe informacionet, që do të çonin në kapjen e tij, do të paguheshin me 10 milion dollarë.

Në zhvillime të tjera, grupi ekstremist Ansar al-Sunna mori përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse të së dielës kundër partive politike kurde në Irbil, ku humbën jetën të paktën 105 veta.

//ze//

XS
SM
MD
LG