Lidhje

Bush: Të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët të punojnë së bashku për një botë paqësore - 2004-02-05


Presidenti Bush tha se në këtë kohë rreziqesh në luftën kundër terrorizmit, amerikanët kanë shumë arsye për të qenë mirënjohës, mes të cilave janë sakrificat e burrave dhe grave të ushtrisë. “Ne lutemi për familjet e të vrarëve në konflikt, që në dhimbje të gjejnë ngushëllim dhe forcë tek Zoti. Ne lutemi për popujt e Irakut dhe Afganistanit, që ata të jetojnë të sigurt dhe të lirë”, tha presidenti.

Zoti Bush thotë se trupat amerikane në Irak kanë shfaqur cilësitë më të mira të Amerikës duke ndihmuar në rindërtimin e xhamive, duke i respektuar klerikët dhe duke nderuar festat fetare myslimane.

“Disa nga trupat tona janë vetë myslimane, sepse Amerika i pranon me gjithë zemër njerëzit e të gjitha besimeve. Të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët janë ndarë shpesh nga dyshimet e vjetra. Ne duhet të veprojmë ashtu siç jemi, bijtë dhe bijat e Abrahamit. Puna jonë në një pjesë të trazuar të botës vazhdon dhe ne do ta çojmë deri në fund atë që kemi nisur”, tha presidenti.

Në Mëngjesin e Lutjeve, një ceremoni e përvitshme, mblidhen së bashku anëtarë të Kongresit, udhëheqës së biznesit dhe diplomatë të huaj. Presidenti thotë se ky është një rast për të lënë mosmarrëveshjet mënjanë dhe për të reflektuar mbi lavdinë e Zotit. “Kur ne mblidhemi së bashku çdo vit, ne lëmë mënjanë debatet e një dite të zakonshme pune. Ne pranojmë se varemi nga Zoti dhe falemi me një zë që Zoti të bekojë vendin tonë. Ne gjendemi në kryeqytetin e vendit më të fuqishëm në botë, megjithatë ne i pranojmë kufizimet e fuqisë tokësore”, tha presidenti.

Pas mëngjesit të lutjeve, Presidenti Bush u nis për në Karolinën e Jugut. Ai mbajti një fjalim për sigurinë kombëtare në Portin e Charlestonit. //rd//

XS
SM
MD
LG