Lidhje

Kryeministri Rexhepi takon Sekretarin amerikan të Shtetit, Colin Powell - 2004-02-05


Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ndodhet në Uashington ku sot mori pjesë së bashku me shumë personalitete nga mbarë bota në mëngjesin e lutjeve. Gjatë vizitës së tij, zoti Rexhepi u takua me zyrtatë të lartë amerikanë, përfshi sekretarin e shtetit Colin Powell. Pas takimit dje në Departamentin e Shtetit, zoti Rexhepi u shpreh optimist se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin e tyre në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi çfarë u diskutua në takimin që patët me sekretarin Powell?

Bajram Rexhepi: Diskutimi kryesor ishte rreth implementimit të standarteve që është një çështje që është tepër serioze, është një investim i komunitetit ndërkombëtar, Grupit të Kontaktit dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës që në fund të fundit është një udhërrëfyes se çka do të bëhet në realizimin e këtyre standarteve që të fillojë definimi i statusit të Kosovës në mesin e vitit 2005. Ne jemi optimist real, të dy palët, që me një angazhim maksimal do të arrijmë nivelin e kënaqshëm për të filluar definimin e statusit.

Zëri i Amerikës: Washingtoni kërkon nga qeveria juaj përshpejtimin e punës. Në mesin e vitit 2005 Kosova duhet të jetë gati për të hapur bisedimet për statusin përfundimtar dhe veçanërisht përshpejtimi i punës duhet bërë tek gjendja e pakicave në Kosovë. Çfarë mund të bëjë qeveria juaj më shumë për të plotësuar standartin për pakicat në Kosovë?

Bajram Rexhepi:Po në se e shikojmë dhe analizojmë në detaje standartet mund të thuhet se konceptimi më tepër se 60 përqind e të gjitha standarteve i dedikohet komuniteteve, në rend të parë komunitetit serb dhe janë kërkesa të cilat duhet të realizohen. Ne do të bëjmë çmos si qeveri, bashkë me UNMIKun që këto të realizohen mirëpo duhet edhe pala serbe të japë kontributin e vet.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit a pritet të vazhdojë ai apo të intensifikohet më tej muajt e ardhëshëm?

Bajram Rexhepi:Po realisht unë kam dëgjuar që zoti Holkeri i ka propozuar, dhe mua më ka paralajmëruar që në pjesën e dytë të shkurtit të fillojë dialogu. Ne kemi bërë përgatitjen e grupeve punuese për çështje të dialogut sidomos përsa i përket personave të pagjetur dhe grupit për energjitikë. Por edhe grupi për transport, telekomunikacion dhe ai për çështjen e kthimit të pakicave është në përgatitje e sipër. Por komuniteti serb nuk merr pjesë as në grupet punuese për implementim të standarteve dhe për momentin është një pengesë serioze e cila e ngadalëson procesin por nuk mund ta bllokojë dhe pritet që të fillojë në pjesën e dytë të shkurtit ndoshta në Prishtinë edhe pse ne kemi propozuar që fillimisht ato të mbahen në Shkup ku kanë qasje të lirë të dy palët.

Zëri i Amerikës: Në takimet e sotme me zyrtarët e lartë amerikan a u prek çështja e marrëdhënieve të qeverisë suaj me UNMIKun? A pritet ndonjë përmirësim pas acarimeve që janë vënë re kohët e fundit?

Bajram Rexhepi: Por për ne shqetësimi më i madh është përsa i përket procesit të privatizimit dhe marrëdhënieve në agjensinë e mirëbesimit. Në sektorë të tjerë raportet janë mjaft të mira dhe me zotin Holkeri nuk janë të këqija, të mira janë. Sigurisht që presim që ai të jetë pak më dinamik, më shpejt i informuar dhe t’i çojmë proceset më parë. Ky është realiteti jonë dhe besoj se në muajt e ardhëshëm ky bashkëpunim do të jetë më i ngushtë dhe do të ketë përparim më të shpejtë.

Zëri i Amerikës: Me çfarë mesazhi ktheheni në Kosovë pas takimit me sekretarin e shtetit?

Bajram Rexhepi: Po në se kemi pasë një bindje se Kosova është harruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nuk është e vërtetë. Përkundër obligimeve të mëdha në Irak dhe Afganistan dhe në luftën kundër terrorizmit global që ne e kemi përkrahur dhe e përkrahim sërisht, ne nuk jemi të harruar. Vetë prezenca në tetor e nënsekretarit të shtetit Grosman dhe propozimi i planit për implementim të standarteve tregon përkushtimin dhe angazhimin edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërë Ballkanin në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti dhe sigurisht që ne do të kemi përkrahjen edhe më tutje. Por edhe ne do ti kryejmë obligimet tona që ata të kenë hapësirë që të realizohen synimet më mirë.

//rd//

XS
SM
MD
LG