Lidhje

Drejtori i CIA-s komenton mbi armët e Irakut - 2004-02-05


Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s, George Tenet, thotë se analistët nuk kishin deklaruar kurrë se Iraku përbënte një kërcënim urgjent para fillimit të luftës në këtë vend.

Zoti Tenet tha se analistët e zbulimit besonin se Iraku zotëronte disa tipe armësh të ndaluara dhe po përpiqej të prodhonte edhe lloje të tjera. Por ai shtoi se agjentët amerikanë e patën të vështirë të depërtonin në regjimin e Saddam Husseinit, dhe se të dhënat e zbulimit pothuajse asnjëherë nuk mund të quhen plotësisht të drejta, apo plotësisht të gabuara.

Komentet e zotit Tenet sot në Uashington, ishin një përgjigje ndaj atyre që kanë kritikuar informacionet e zbulimit që u përdorën prë të justifikuar luftën në Irak. Para disa ditësh ish-inspektori i armëve i Shteteve të Bashkuara, David Kay, tha se ishte i mendimit se në Irak nuk ka armë kimike, apo biologjike.

Zoti Tenet i hodhi poshtë sot kritikat se atij i ishte bërë trysni për të manipuluar informacionin për Irakun dhe shtoi se Presidenti Bush i kishte kërkuar që faktet të paraqiteshin saktë dhe ndershmërisht.

Shefi i CIA-s tha se informacioni që ai kishte para luftës ia kishte forcuar besimin se Saddam Husseini përbënte rrezik dhe se ai ia kishte transmetuar këtë zyrtarëve të administratës së Presidentit Bush nga fundi i viti 2002.

Zoti Tenet po ashtu tha se inspektorët në Irak kanë nevojë për më shumë kohë për të kërkuar të dhëna mbi programet e armëve të Irakut. Në fjalimin që mbajti sot në Karolinën e Jugut, presidenti Bush pranoi se në Irak nuk janë gjetur ende armë të ndaluara, por ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara bënë veprimin e duhur, me fillimin e luftës në Irak.

Kritikët e akuzojnë administratën e Presidentit Bush se kishte paraqitur një pikpamje të ngushtë për të dhënat e zbulimit, për ta bërë Irakun të dukej si kërcënim serioz, duke justifikuar kështu ndërhyrjen ushtarake.// lk //

XS
SM
MD
LG