Lidhje

CIA dhe armët e Irakut - 2004-02-06


Në një fjalim që mbajti dje në Washington, Drejtori i CIA-s, George Tenet tha se agjencia e tij nuk gaboi lidhur me informacionet e para luftës për armët e Irakut. Por ligjvënësit demokratë shprehën zhgënjim për fjalimin e zotit Tenet, duke thënë se ai duhet të kishte pranuar se CIA ka dhënë informacione të pasakta.

Menjëherë pas fjalimit të zotit Tenet, ligjvënësit demokratë e kritikuan Drejtorin e CIA-s se nuk mori përgjegjësinë për informacionet e pasakta të Agjencisë së tij lidhur me rrezikun që paraqiste Iraku, para fillimit të luftës.

Në fjalimin që mbajti dje në Universitetin Gerogetown, Drejtori i CIA-s i doli në mbrojtje informacioneve dhe përfundimeve të agjentëve të CIA-s para luftës në Irak. Ai tha gjithashtu se të dhënat e aleatëve se Sadam Huseini i kishte shkatërruar armët ekzistuese, nuk mund të verifikoheshin. Zoti Tenet tha se agjentët e tij arritën në përfundimet e tyre . "Ata asnjëherë nuk thanë se Iraku i paraluftës përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, ata i dhanë një vlerësim objektiv formuluesve të politikave amerikane lidhur me Sadam Huseinin, si një diktator të egër, i cili vazhdimisht mashtronte dhe krijonte programe, të cilat përbënin kërcënim për intersat tona", tha zoti Tenet.

Zoti Tenet tha gjithashtu se edhe agjenci të tjera ishin të të njëjtit mendim me vlerësimin e CIA-s, se Irakut do ti duheshin vite para se t’i shndërronte materialet bërthamore në armë bërthamore. Ai tha se Sadami synonte të prodhonte armë biologjike dhe kimike, megjithëse nuk janë gjetur prova për këtë.

Zoti Tenet përmendi gjithashtu si sukses, se, zbulimet e CIA-s, e detyruan Libibë t’i japte fund programit të armëve bërthamore. Ai shtoi se agjentët e CIA-s mundën të mësonin se Libia po bashkëpunonte me Korenë e Veriut për të siguruar raketa me rreze të gjatë veprimi.

Por ligjvënësit demokratë thonë se adminsitrata e presidentit Bush mund të ketë ushtruar trysni ndaj CIA-s për t’i manipuluar të dhënat, për t’i përdorur ato si shkak për fillimin e luftës në Irak. Një prej tyre është edhe udhëheqësja e ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelozi: "Komisioni i pavarur duhet të përfundojë nga puna sa më shpejt në mënyrë që të rikthehet besueshmëria e agjencisë amerikane të zbulimit", thotë ajo.

I këtij ishte mendimi ishte edhe ligjvënësi tjetër demokrat, Tom Daschle:"Është e nevojshme krijimi i një komisioni plotësisht të pavarur, për të hetuar lidhur me cilësinë e agjencive tona të zbulimit dhe përdorimin e informacioneve", tha zoti Daschle.

Por zoti Tenet tha në fjalimin e djeshëm se agjentëve të tij u nevojitet më tepër kohë për të zbuluar veprimtarinë e plotë të Irakut.

//rd//

XS
SM
MD
LG