Lidhje

OKB-ja shqyrton mundësinë e zgjedhjeve të drejtëpërdrejta në Irak - 2004-02-06


Ekspertë të Kombeve të Bashkuara po përgatiten të shkojnë në Irak për të shqyrtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të hershme, të kërkuara nga shumica shiite e vendit.

Zyrtarët thonë se ekipi i OKB-së pritet të arrijë në Bagdad sonte ose nesër. Sekretari i përgjithshëm i organizatës botërore, Kofi Anan, ka thënë se ekspertët do të takohen me shumë irakianë ndërkohë që përpiqen të përcaktojnë procedurat më të mira për ngritjen e një administrate vetëqeverisëse në Irak.

Gazeta Washington Post njofton se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimeve rrënjësore në planin e tyre për kalimin e sovranitetit në duart e irakianëve. Gazeta shkruan se një propozim parashikon shtyrjen e afatit të 30 qershorit për kalimin e pushtetit në duart e një qeverie të përkohshme irakiane, në mënyrë që të fitohet kohë për zhvillimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta, të kërkuara nga Ajatollah i Madh, Ali al-Sistani.

Në Irak, zyrtarë dhe ndihmës të Ajatollah Sistanit po diskutojnë njoftimet se ai ishte objektivi i një atentati të djeshëm. Sipas njoftimeve, sulmuesit hapën zjarr kundër makinës së udhëheqësit fetar shiit. Por, zyrtarët thanë sot se njoftimet nuk ishin të vërteta.

Ndërkohë, forcat ushtarake amerikane në Irak arrestuan 6 irakianë, për të cilët një zëdhënës tha se kishin lidhje të ngushta me ish udhëheqësin Sadam Husein. Zëdhënësi tha se 6 të arrestuarit dyshoheshin për veprimtari kundër koalicionit.

//rd//

XS
SM
MD
LG