Lidhje

Armë bërthamore në Korenë e Veriut - 2004-02-06


Një raund i ri bisedimesh gjashtë-palëshe që ka për synim t’i japë fund programit koreanoverior të armëve bërthamore, do të fillojë më 25 shkurt. Në këto bisedime marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut.

Në vitin 2002, Koreja e Veriut pranoi se kishte një program të fshehtë armësh bërthamore të bazuar në pasurimin e uraniumint, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga vetë Pheniani. Në vend që të hiqte dorë nga shkeljet, regjimi koreanoverior dëboi nga vendi inspektorët e Agejncisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe njoftoi se po tërhiqej nga Traktati për Mospërhapjen Bërthamore.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Boucher, tha se është nevoja që Koreja e Veriut të eliminojë programin e saj të armëve bërthamore në mënyrë të verifikueshme dhe të pakthyeshme: “Çfarëdo arsyesh që ata mund të kenë pasur për fillimin e një programi të tillë, ato nuk japin asnjë ndihmesë për sigurinë dhe qendrueshmërinë e Koresë së Veriut dhe as për të ardhmen e popullit koreanoverior. Për një sërë arsyesh të ndryshme, theksoi zoti Boucher, është nevoja që ai program të eliminohet.”

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i japin ndihmë humanitare popullit të Koresë së Veriut. Por, regjimi koreanoverior nuk do të shpërblehet për përmbyshjen e detyrimeve të tij. Zoti Boucher tha se fqinjtë e Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë së Veriut e kanë bërë të qartë se Koreja e Veriut nuk do të përfitojë duke iu kundërvënë gjithë botës me programin e saj të armëve bërthamore që shqetëson të gjithë.

“A do të kishte përfitime për Korenë e Veriut nëse ajo ndryshon qendrim?, shtron pyetjen zëdhënësi Boucher. Mendoj se po, thotë ai. Por çështja është se ne e kemi bërë të qartë që përsa i përket çmontimit të programit bërthamor të Koresë së Veriut, kthimit në atë vend të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe shpalljes së gadishullit korean zonë pa armë bërthamore, gjë të cilën Koreja e Veriut e ka pranuar shumë herë, ne nuk do të paguajmë përësri për të njëjtën gjë.”

Presidenti Bush ka thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një rrugë paqesore për t’i dhënë fund kërcënimit që paraqet programi koreanoverior i armëve bërthamore. Çështja është tani nëse Koreja e Veriut kërkon të njëjtën gjë.//xh//

XS
SM
MD
LG