Lidhje

President Moisiu: Politikanët shqiptarë duhet t’i shërbejnë kombit - 2004-02-06


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ndodhet në Uashington ku mori pjesë të enjten në Mëngjesin e Lutjeve. Ai vizitoi të premten Zërin e Amerikës, ku dha një intervistë për shërbimin shqip.

Zëri i Amerikës: Zoti President, mirëserdhet!

President Alfred Moisiu: Mirëse ju gjeta! Megjithëse unë jam ndjekësi juaj i vazhdueshëm, por kësaj radhe jam këtu tek ju dhe është një kënaqësi e vërtetë.

Zëri i Amerikës: Shumë faleminderit! Kënaqësia është e jona.

Zëri i Amerikës: Zoti President, fillimisht a mund të na flisni për vizitën tuaj në Uashington dhe përshtypjet tuaja nga kjo vizitë?

President Alfred Moisiu: Sigurisht unë erdha këtu me rastin e Mëngjesit të Lutjeve. Ishte hera e parë që marr pjesë në këtë aktivitet. Është një aktivitet tepër interesant, sepse kultivon dhe ndikon në afrimin e njerëzve pavarësisht nga besimet, nga mendimet, nga idetë dhe nga prejardhjet partiake. Me një fjalë hulumton paqen dhe mirëkuptimin për atë çka njerëzimi ka më shumë nevojë se çdo gjë tjetër. Megjithëse ky është mëngjesi i 52-të, ne kemi filluar edhe në Shqipëri të bëjmë një gjë të tillë. Vjet bëmë një Mëngjes Ballkanik dhe shpresojmë edhe këtë vit. Krahas pjesëmarrjes (në Mëngjesin e Lutjeve), unë pata mundësinë këtë radhë të takoj shumë personalitete të rëndësishme, senatorë dhe kongresmenë, midis së cilëve Senatorin McCain, kryetarin e maxhorancës në senat, zotin Frist dhe njëkohësisht pata mundësinë të takoja edhe Kongresmenët Sue Kelly dhe Elliott Engel.

Zëri i Amerikës:...Të cilët kanë qenë përkrahës të çështjeve shqiptare, apo jo?

President Alfred Moisiu:Po, dhe ata po krijojnë një bord të fuqishëm kongresmenësh, në mbështetje të çështjes shqiptare. Sipas të dhënave që na i thanë vetë kanë arritur tani 21 kongresmenë të bëjnë pjesë në këtë bord dhe shpresojmë në një mbështetje shumë të madhe në të ardhmen për problemet shqiptare në tërësi.

Zëri i Amerikës: Zoti President, si do t’i cilësonit marrëdhëniet aktuale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe në cilat fusha ju do të kishin dëshirë për një thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe?

President Alfred Moisiu: Unë mendoj se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë janë vërtet të shkëlqyeshme dhe ajo që është më e rëndësishme, janë të sinqerta, sepse janë marrëdhënie që janë të konsoliduar historikisht dhe qëndrojnë këto marrëdhënie në zemrat dhe në ndjenjat e gjithë shqiptarëve, për arsyet e vetë pozicionit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur në rastin e Presidentit Wilson në vitin 1920, por edhe në drejtim të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Pra shqiptarët vërtet besojnë dhe shpresojnë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo thjesht si vendi më i madh i demokracisë në botë, por edhe si një vend që ka mundësi dhe do t’i gjendet Shqipërisë në kapërcimin e vështirësive që ajo ka. Ju e dini që neve jemi një ndër aleatët kryesorë do të thoja të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ne u bashkuam në këtë aleancë jo thjesht pse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ne e konsiderojmë terrorizmin ndërkombëtar si një rrezik të vërtetë të kulturës botërore, të kulturës evropiane, të civilizimit botëror dhe evropian dhe sikurse jeni në dijeni, ne kemi dërguar edhe trupat tona që shërbejnë në Mosul dhe në Afganistan. Javën që vjen unë do të shkoj t’u bëj edhe një vizitë trupave tona në Irak për të parë ushtarët tanë atje dhe për t’i inkurajuar dhe për t’i falenderuar ata, për detyrën e tyre shembullore që po kryejnë me gjithë zemër, për përgatitjen e tyre shumë të mirë dhe me marrëdhëniet që kanë arritur të krijojnë jo vetëm me aleatët e tyre amerikanë, por edhe me popullsinë vendase.

Zëri i Amerikës: Një nga përparësitë e politikës së jashtme amerikane në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, është lufta kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit. A mund ta përballojë vendi juaj këtë sfidë, veçanërisht duke marrë parasysh njoftimet e ndryshme mbi mundësinë e lidhjeve të politikanëve, të zyrtarëve me grupet e krimit të organizuar dhe me rolin jo aq të lakmueshëm që ka luajtur deri sot drejtesia? Ju si President jeni edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

President Alfred Moisiu: Këto probleme që thatë ju, zoti Biberaj, janë probleme që na shqetësojnë. Ato shqetësojnë gjithë politikanët shqiptarë, gjithë opinionin publik shqiptar. Është e vërtetë që unë si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam një përgjegjësi direkte në këtë mes, veçanërisht në organizimin e drejtësisë. Ne që nga 1 janari, organizuam dhe filluam punën me Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe i vumë një kujdes të veçantë përzgjedhjes së njerëzve. Bëmë një përzgjedhje të një karakteri drastik, nëse mund të shprehemi kështu. Nga 12 anëtarët e parë që më propozoi Këshilli i Lartë i Drejtësisë, unë dekretova vetëm gjashtë, duke u nisur gjithmonë nga cilësitë e tyre profesionale dhe nga cilësitë e tyre etiko-morale. Pra kësaj gjykate, ne po i vëmë një rëndësi të veçantë, pikërisht sepse shpresojmë dhe besojmë që ajo do të luajë një rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar. Po ashtu është organizuar edhe inspektoriati i pasurive të pushtetarëve, një strukturë që nuk ka ekzistuar më parë dhe sa ka filluar edhe ajo punë. Në këtë kuadër ne shpresojmë që politikanët, ata që janë të implikuar qoftë në krijimin e pasurive në mënyrë të paligjshme, qoftë edhe në lidhjet e tyre që mund të kenë direkte, ose indirekte me krimet e rënda, të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin që u takon. Por në të njëjtën kohë ne duhet t’i vëmë fre në të ardhmen që politikanët të cilët hyjnë në politikë, duhet të hyjnë jo për t’u pasuruar, por për t’i shërbyer kombit. Kjo është një shprehje idealiste. Unë i përkas një brezi idealist dhe pa idealizëm nuk mund të bëhet dot gjë. Unë shpresoj që edhe politikanët shqiptarë do ta kuptojnë më në fund, se qenia në një pozitë të caktuar, në radhë të parë presupozon t’i shërbesh kombit, t’i shërbesh vendit dhe për ta bërë këtë nuk duhet vetëm punë, por duhet edhe një model etik, që të tregojë që janë të huaj si të thuash në përvetësimin e këtyre modeleve që çojnë në korrupsion, ose në lidhje të dyshimta, me persona të dyshimtë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, gjendja politike në vendin tuaj ka njohur ulje dhe ngritje të shumta. Gjatë muajve të fundit, përgjithësisht, ajo është duke u keqësuar si rrjedhim i mosmarrëveshjeve midis partisë në pushtet dhe opozitës, por edhe si rrjedhim i konfliktit brenda radhëve të Partisë Socialiste në pushtet. Sipas mendimit tuaj, a ndodhet Shqipëria në prag të një krize, siç thonë disa. Për shembull, ish-kryeministri Meta e ka krahasuar gjendjen në Shqipëri me atë në Gjeorgji para përmbysjes së presidentit Shevarnaxe...

President Alfred Moisiu: Deklarata të tilla, që Shqipëria ngjet me Gjeorgjinë mua më duken shumë të ekzagjeruara dhe të pabaza, sepse ajo situatë që u krijua në Gjeorgji vitin që shkoi, tek ne ka qenë në vitet 1991-1992 dhe ne tani kemi 12-13 vjet që jemi në një tranzicion, vërtet tranzicion i gjatë dhe i vështirë. Me këtë, unë nuk do të them që nuk kemi probleme. Ne kemi probleme; dhe e mira është që këto probleme t’i themi hapur, t’i njohim, t’i shikojmë në sy, sepse vetëm kështu ne, me tërë mend, mund të luftojmë seriozisht për t’i riparuar këto gjëra. Është e vërtetë, Partia Socialiste që është në pushtet, ka patur problemet e saj dhe megjithë Kongresin që bëri në dhjetor, që në dukjen e parë u duk sikur u mbyllën, prapë si duket ka akoma gjëra që duhen zgjidhur, që duhen rrafshuar, për të ecur përpara. Por një gjë duhet patur parasysh dhe ky nuk është thjesht opinioni im personal, po dhe i mjaft analistëve, që këto kriza politike kanë patur një veçori në vendin tonë, sepse nuk kanë patur atë ndikim ekonomik siç kanë patur më përpara. Ekonomia ka ecur. Tani, sigurisht që u takon analistëve për t’u thelluar dhe për ta parë më thellë, cilat janë arsyet e vërteta që ekonomia jonë nuk është prekur nga këto kriza. Unë shpresoj që këto kriza, të cilat janë akoma në Partinë Socialiste, do të gjejnë mundësi të zgjidhen, sepse kjo është për të mirën e vendit; dhe të bësh politikë, sikurse thashë pak më parë, politika bëhet me disa objektiva të caktuara, që vendin ta çosh përpara dhe jo ta frenosh, apo ta çosh mbrapa.

Zëri i Amerikës: Zoti President, mbase ju nuk e cilësoni gjendjen e tanishme si një gjendje krize, por sidoqoftë, gjendja nuk është e lakmueshme. Si do ta përcaktonit ju këtë gjendje, a është ajo një krizë e sistemit politik, apo është një luftë e natyrshme për pushtet, midis forcave të ndryshme politike?

President Alfred Moisiu: Tek ne po ndodh një gjë shumë interesante, dmth, që politika shpeshherë, ose më mirë të themi politikanët shpeshherë shikojnë më shumë interesat e tyre partiake, ose personale, se sa interesat mbarëkombëtare, gjë e cila jo vetëm që është e gabuar dhe kjo është e gabuar jo vetëm tek neve, por kudo që të jetë; dhe populli, si të thuash, pikërisht këtë jo vetëm që e ka parë, e kupton dhe e sheh, por dhe është treguar aktiv në dënimin e kësaj politike. Po të shikosh pjesëmarrjen në zgjedhje, ka rënë dhe vjen në rënie; dhe kjo tregon dhe vërteton atë që populli jo vetëm që nuk është dakord me një politikë të tillë, por e ka dënuar këtë politikë, me mospjesëmarrje në zgjedhje. Sigurisht, ky është një dënim pasiv, por një dënim që duhet që çdo politikan ta vlerësojë dhe të nxjerrë mësimet e veta. Ndryshe nuk ka se si të ecet përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti President, çfarë roli mund të luani ju në këtë situatë, ju jeni kritikuar tashmë nga të dyja palët. A mund të jenë përpjekjet tuaja me të vërtetë të efektshme?

President Alfred Moisiu: Është e vërtetë, roli im, është hera e parë që një president i Shqipërisë nuk i përket asnjë partie; dhe zgjedhja ime ka qenë konsensuale, domethënë me pëlqimin e të gjithë forcave politike kryesore në Shqipëri. Sigurisht, në fillim, unë arrita të kem një mbështetje nga të gjitha krahët dhe ta zhvilloj detyrën time mirë. Por, me sa duket, në Shqipëri akoma nuk janë mësuar politikanët tanë, që presidenti të jetë mbi interesat partiake, ose mbi partitë e tyre, duke qenë të mësuar që presidentin ta kenë në njerin krah, apo në tjetrin; dhe zakonisht, presidenti do të veprojë dhe unë jam menduar të veproj dhe ashtu kam vepruar, mbështetur në Kushtetutë dhe në ligje. Ndonjëherë, veprimet e mija kanë qenë në favor të njerës palë: jam kritikuar nga pala tjetër dhe radhën tjetër, kanë qenë në interes të kundërt; është e vërtetë, që kjo ndodh në këtë mënyrë. Unë them që dhe politikanët shqiptarë do mësohen, do mësohen që Presidenti i Republikës është përfaqësuesi i unitetit të kombit, ashtu si e përcakton dhe kushtetuta dhe nuk është përfaqësues i asnjërës forcë politike. Edhe sikur të vinte nga një forcë politike e caktuar, prapë ai është i detyruar dhe duhet domosdoshmërisht, në se do të jetë president i një vendi, të luajë rolin e tij, i mbështetur në kërkesat e Kushtetutës. Unë vazhdoj punën time, kam ndikuar dhe do të ndikoj në zgjidhjen e problemeve kryesore duke i ndjekur ato, si në kontaktet personale, ashtu edhe në krijimin e grupeve të punës; me ndërhyrjet e mija publike, qoftë nëpërmjet mesazheve që kam dhënë, qoftë nëpërmjet mesazheve të medias, po ashtu edhe nëpërmjet mesazheve të mija duke folur në Parlament. Por, është një gjë, unë mund të them se ma kanë bërë këtë pyetje në fillim të janarit gazetarët: dera ime është e hapur për këdo. Kush do t’i shërbejë vendit, t’i shërbejë të ardhmes së Shqipërisë, duhet të kontaktojë dhe të komunikojë me Presidentin. Presidenti është një dhe unë e mora përsipër këtë detyrë për t’i shërbyer Shqipërisë dhe për asgjë tjetër. Ndërsa forcat politike dhe politikantë janë shumë, pra ata, sigurisht, që është në të mirën e vendit, që të komunikojnë me presidentin...

Zëri i Amerikës Zoti President, ju uroj çdo të mirë. Ishte kënaqësi t’ju kishim sot në studio.

President Alfred MoisiuUnë ju falënderoj. Sikurse thashë jo vetëm unë por dhe të gjithë shqiptarët e ndjekin me vëmendje Zërin e Amerikës, jo vetëm se përcjell politikën aktuale amerikane, dhe jep njoftime të ndryshme që vijnë, por dhe ndikon në mënyrë efektive në pjekurinë e politikës shqiptare, për të cilën ka nevojë akoma.

//rd//

XS
SM
MD
LG