Lidhje

Presidenti Bush i kërkon Kongresit të shtojë fondet për nxitjen e reformave në Lindjen e Mesme - 2004-02-07


Presidenti Bush i ka kërkuar Kongresit që të shtojë fondet për nxitjen e reformave ekonomike, politike dhe ligjore në Lindjen e Mesme.

“Ne po u bëjmë sfidë armiqve të reformave, po konfrontojmë aleatët e terrorizmit dhe presim një standard më të lartë nga miqtë tanë. Për një kohë të gjatë, Shtetet e Bashkuara kishin mbyllur sytë ndërkohë që femra dhe meshkuj shtypeshin, të drejtat e tyre injoroheshin dhe shpresat e tyre vaniteshin. Ajo kohë ka marrë fund dhe për këtë mund të jemi të sigurtë. Sikurse në Gjermani, Japoni dhe Evropën Lindore, liria do të triumfojë mbi shtypjen në Lindjen e Mesme.”

Në Marok, Jordani, Katar dhe vende të tjera, reformatorët arab kanë filluar të kërkojnë ndryshime. Ata po kërkojnë zgjedhje demokratike, të drejta për femrat dhe një pluralizëm të mirëfilltë politik. Presidenti Bush e kupton situatën shumë qartë, thotë Gehad Auda, analist politik në Univerzitetin Helwan në Egjipt.

Kur udhëheqësit reformistë të kërkojnë ndihmë, tha presidenti Bush, ata do ta kenë këtë ndihmë.

“Rreziqet nuk mund të jenë më të mëdha. Derisa ai rajon të jetë vend i tiranisë dhe shtypjes, atje do të ketë njerëz dhe lëvizje, të cilat kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të miqve të tyre. Ne kërkojmë avancimin e demokracisë për arsye shumë praktike: sepse vendet demokratike nuk përkrahin terrorizmin apo ta kërcënojnë botën me armë të shkatërimit në masë.”

Shtetet e Bashkuara po i mbështesin fjalët e veta me veprime konkrete si për shembull po japin ndihma për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Organizatën Botërore të Tregtisë, po krijojnë programe për aftësimin e femrave arabe me aftësi biznesi, po përkrahin elementë reformistë, të cilët kërkojnë gjykata të pavarura dhe respektimin e ligjit si dhe po furnizojnë shkollat me libra për të përmirësuar sistemet arsimore.

Zbatimi i ndryshimeve demokratike në Lindjen e Mesme do të jetë punë e shumë vendeve për një kohë të gjatë. Por impulsi për demokraci në vendet arabe duhet të vijë nga vetë këto vende.

//ze//

XS
SM
MD
LG