Lidhje

Shqipëri: Forcat e gardës qëllojnë në ajër për të ndalur protestuesit e opozitës - 2004-02-07


Forcat e gardës së Republikës shtinë të shtunën me armë në ajër për të ndaluar një grup manifestuesish të opozitës që iu drejtuan hyrjes së godinës së qeverisë. Incidenti ndodhi pak pas mesditës gjatë protestës së opozitës e cila kërkon largimin e kryeministrit Fatos Nano.

Forcat e gardës qëlluan në ajër kur një grup protestuesish arritën të çanin gardhin e vendosur nga policia dhe të drejtoheshin për nga hyrja e godinës.

Kishte vetëm pak minuta që kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha me një pjesë të manifestuesve ishin larguar nga sheshi përpara selisë së kryeministrisë dhe ndodhehin 100 deri 200 metra më tej.

Drejtues të Partisë Demokratike për degën e Tiranës dhe disa depuetët të tjerë po përpiqeshin të frenonin manifestuesit, ndërsa grupi që u derdh drejt hyrjes së selisë së qeverisë u ndesh me rezistencën e fortë të trupave të gardës në ndihmë të të cilëve erdhën menjëherë dhe forcat speciale të policisë të pajisura me skafandra, mburoja dhe shkopinj gome.

Një gardh me tela me gjemba u vendos menjeherë për të penguar avancimin e protestuesve. Për disa minuta me radhë gjendja ka qenë tejet e tensionuar.

Forcat e gardës dhe policisë përdorën disa herë shkopinjt e gomës dhe kondakun e armëve, ndërsa nga protestuesit nisën të godasin me gurë dhe sende të forta duke thyer edhe xhamat e hyrjes. Nga ky incident, sipas njoftimit të policisë, ka mbetur i dëmtuar komandanti i trupave të gardës, një nënoficer dhe disa policë.

Situata e tensionuar vazhduar deri rreth orës 13.45, ku pas përpjekjeve të deputetëve të Partisë Demokratike, protestuesit lanë shkallët e godinës së qeverisë për t’u mbledhur sërish përpara selisë së Partisë Demokratike.

Kryetari Sali Berisha deklaroi se manifestimi i sotëm ishte ndër më paqësorët të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Për incidentin e ndodhur ai fajësoi punonjës të shërbimeve sekrete të cilët sipas tij ishin mes protestuesve dhe kishin marrë gurë me vete.

“Ftoj forcat e rendit të heqin dorë nga ritorsioni, të mos krijojnë situata konfrontuese se ishte protesta më paqësore që Shqipëria ka njohur dhe të mos i bindet urdhërave të Igli Toskës. Të mos acarohet me qytetarët”, tha zoti Berisha.

Të shtunën u mblodh kryesia e Partisë Demokratike e cila do të përcaktojë edhe programin e asaj që opozita tashmë e quan lëvizja “Nano Ik”.

Qeveria reagoi përmes zëvendëskryeministrit Namik Dokle, i cili deklaroi se Qeveria garanton opinionin publik dhe partnerët ndërkombëtarë se është e vendosur të sigurojë dhe të mbrojë rendin kushtetues në shërbim të stabilitetit.

Njëherësh qeveria i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të hetojë tejkalimin nga protesta paqësore në dhunë kundër institucioneve.

Zëvendëskryeministri ka paralajmëruar se çdo tentativë për të sulmuar institucionet dhe rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin e vendit do të goditet menjëherë me mjete ligjore.

Ai i ka berë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike të distancohet nga ngjarjet e sotme:

“Ne i bëjmë thirrje kryetarit të PD-së Zotit Berisha të distancohet menjëherë publikisht nga dhunuesit e institucioneve të shtetit qofshin këta edhe me imunitet, si dhe të heqë dorë nga nxitja e turmave për shkatërrimin e institucioneve, përndryshe ai dhe të tjerë do të jenë përgjegjës sipas të gjitha dispozitave ligjore dhe kushtetuese”, tha ai.

Në ndryshim nga protestat e dy muajve më parë në Tiranë, manifestimi i së shtunës i opozitës që kërkon largimin e kryeministrit Fatos Nano, mblodhi në mesditë disa mijëra anëtarë dhe simpatizantë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se mitingu i sotëm ishte fillimi i një lëvizjeje e cila ka si lajtmotiv të sajin togfjalëshin “Nano ik”.

Zoti Berisha deklaroi se nuk do të ketë forcë që të pengojë këtë lëvizje deri në largimin e kryeministrit, i cili siç u shpreh ai do të ketë fatin e presidentit të Gjeorgjisë Shevernaxe.//kk//

XS
SM
MD
LG