Lidhje

Hendeku fetar në politikën amerikane - 2004-02-07


Megjithëse qeveria amerikane është laike, feja pothuajse gjithmonë ka luajtur rol të rëndësishëm në zgjedhje. Deri vonë, përkatësia fetare ishte treguesi kryesor se për cilën parti do të votonte një kandidat.

Përgjithësisht protestantët e veriut votonin për republikanët, ndërsa hebrenjtë dhe katolikët kishin prirjen të votonin për demokratët. Por tani ka një hendek të ri fetar në politikën amerikane, ku rol thelbësor luan devotëshmëria fetare, dhe jo thjesht identiteti fetar.

Hendeku i ri është krijuar mes atyre që thonë se ndjekin shërbesat fetare rregullisht dhe atyre që nuk e bëjnë një gjë të tillë. Sipas një ankete të re të opinionit publik, kryer nga Qendra e Studimeve Pew, 63 për qind e amerikanëve që ndjekin shërbesat fetare më shumë se një herë në javë, votojnë për republikanët, ndërsa 62 për qind e atyre që pothuajse nuk i ndjekin fare këto shërbesa votojnë për demokratët.

Mark Silk është drejtor i Qendrës për Studimin e Fesë në jetën publike në Kolegjin Trinity në Connecticut. Ai thotë se prirja e votuesve jo besimtarë për t’u identifikuar me Partinë Demokrate nuk është e re, por shton se vetëm kohët e fundit besimtarët që praktikojnë fenë rregullisht kanë filluar të votojnë kryesisht për republikanët.

“Po të shohim veçanërisht zgjedhjet për Kongresin që mbahen çdo dy vjet, mund të shohësh një thellim të madh të këtij hendeku fetar nga viti 1992 deri në vitin 2000 dhe një thellim jo aq të madh nga zgjedhjet e vitit 2000 tek ato të vitit 2002”, thotë ai.

Vlerësimet e Mark Silkut mbështeten në anketimet e njerëzve që dalin nga votimi, ku nuk përfshihej pyetja se pse ata votuan për këtë ose atë parti. Por meqenëse njerëzit që shkojnë çdo javë në shërbesat fetare kanë prirjen t’i japin më shumë rëndësi moralit personal, sesa përgjegjësisë shoqërore, ai thotë se nuk është e vështirë të kuptohet se pse hendeku mes besimtarëve të devotshëm dhe atyre që nuk e praktikojnë aq shumë fenë u thellua në vitet 1990. Zoti Silk e shpjegon këtë dukuri me ish-presidentin Bill Clinton dhe me pikëpyetjet për moralin e tij personal dhe marrëdhënien me Monica Lewinskin.

Amy Sullivan, studiuese në Universitetin Princeton eksperte e fesë dhe politikës thotë se hendeku i ri fetar ka bërë që shumë udhëheqës demokratë të bien në kurthin e të gjykuarit se nëse praktikon rregullisht një fe, nuk je demokrat i mirë.

“Nuk mendoj se shumë nga kandidatët demokratë e kuptojnë sesa besimtarë janë njerëzit që i mbështesin ata. Mendoj se një nga ato që kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit është se me konsolidimin e së Djathtës Fetare dhe organizatave si Koalicioni i Krishterë, u krijua ideja se feja dhe politika do të thoshte ‘të krishterë konservatorë’ dhe ‘fondamentalistë të së djathtës ekstreme’”.

Amy Sullivan thotë se ky keqkuptim është shfaqur tashmë në fushatën demokrate, duke përmendur senatorin John Kerry që flet për ndarjen e kishës nga shteti dhe ish-guvernatorin Howard Dean që ankohej shpesh se vota e jugorëve jepej duke patur parasysh “zotin, armët dhe të drejtat e homoseksualëve”.

Në përgjithësi në Amerikë, veriorët nuk e shfaqin shumë besimin e tyre, ndërsa jugorët e praktikojnë rregullisht fenë e tyre. Si rezultat, kandidatë republikanë më shumë të prirur drejt fesë i tërheqin votuesit e Jugut, që për më shumë se një shekull kanë qenë demokratë. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, të gjitha shtetet jugore përveç Merilendit votuan për George Bushin, që është i krishterë evangjelist. //kk//

XS
SM
MD
LG