Lidhje

Analistët: Të drejtat e njeriut nuk ishin e vetmja arsye për ndërhyrje në Irak - 2004-02-08


Një organizatë e të drejtave të njeriut thotë se lufta në Irak nuk duhet justifikuar si mbrojtje e të drejtave të njeriut, një nga argumentat e Administratës së Presidentit Bush.

Megjithëse ndërhyrja ushtarake në të vërtetë përmbysi një qeveri brutale, Human Rights Watch thotë se Saddam Husseini e masakroi popullin e tij për dekada me radhë, jo vetëm vitet e fundit. Pse ai u vu vetëm tani në shënjestër? Analistët thonë se ka shumë arsye që shkojnë përtej të drejtave të njeriut.

Presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Tony Blair, pothuajse gjithmonë theksojnë brutalitetin e kohës së Saddam Husseinit, kur justifikojnë ndërhyrjen ushtarake në Irak.

Në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, Presidenti Bush tha se irakianët janë tani të lirë. Por organizata Human Rights Watch me qendër në New York thotë se liria erdhi shumë vonë. Sipas saj, nëse lufta u bë vërtet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, atëherë komuniteti ndërkombëtar duhet të kishte ndërhyrë më shumë se një dekadë më parë. “Një gjë e tillë duhet të ishte bërë në fund të viteve ’80 kur Sadami po masakronte kurdët”, thotë Tom Malinowski, një nga drejtuesit e Human Rights Watch.

Ai e vë në pikëpyetje argumentin e administratës së Presidentit Bush dhe qeverisë së Kryeministrit Blair. Zoti Malinowski thotë se ndërsa presidenti i përmbysur Sadam Husein kishte kryer shkelje të tmerrshme të të drejtave të njeriut, në kohën e ndërhyrjes amerikane në Irak, ai nuk ishte i angazhuar në mënyrë aktive në dhunime masive.

Ai shton se momenti më bindës për ndërhyrje në Irak ishte menjëherë pas Luftës së Gjirit në vitin 1991, kur Sadam Husseini vrau afro një të tretën e 1 milion myslimanëve shiitë në Irakun Jugor. Shtetet e Bashkuara shkuan për të mbrojtur kurdët në veri, por nuk vepruan kur vriteshin shiitët në jug. Si rezultat, thotë zoti Malinowski argumenti amerikan sot nuk është bindës dhe i vë në pikëpyetje motivet e luftës.

“Problemi është se argumenti humanitar ishte i dorës së dytë para luftës, atëherë kur duhej. Ai doli në plan të parë pas luftës, ndërsa argumentat e sigurisë kombëtare u zbehën, ose rezultuan të rreme, sapo u bë e qartë që Sadami nuk kishte në fakt një program të zhvilluar të armëve të shkatërrimit në masë”, thotë ai.

Por analistë të tjerë thonë më mirë vonë se kurrë. Njëri prej tyre, Clyde Prestowitz, ish zyrtar i tregëtisë në qeverinë e ish-presidendit Reagan, thotë se përmbysja e Sadamit ishte thelbësore. Ai shton se nuk janë të drejtat e njeriut e vetmja arsye për të filluar një luftë. “Shtetet e Bashkuara rrallë ndërhyjnë në një vend, vetëm duke u nisur nga shkeljet e të drejtave të njeriut. Ne e bëjmë një gjë të tillë kur ka edhe çështje të tjera me interes të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.

Vëzhguesit thonë se koncepti i ndërhyrjes ushtarake në mbrojtje të të drejtave të njeriut është një zhvillim i kohëve të fundit. Një nga shembujt është fushata ajrore e NATO-s në vitin 1999 kundër forcave serbe të sigurimit që shtypnin shumicën shqiptare të Kosovës. Goditjet ajrore u bënë në fund të pothuajse 10 vjetëve luftra në ish-Jugosllavi, gjatë të cilave gjetën vdekjen dhjetra mijëra njerëz.

Gary Bass, një profesor i çështjeve ndërkombëtare në Univerisitetin Princeton, thotë se ndërhyrje të tilla për të drejtat e njeriut nuk kanë qenë kudo njëlloj. “Nëse i hedh një sy ngjarjeve gjatë viteve 1990, qëndrimi i demokracive të mëdha ka qenë shkurajues. Në Bosnje, u deshën 3 vjet e gjysmë para se NATO-ja të vepronte. Ndërsa në Ruandë, ku për tre muaj u vranë 800 mijë vetë, nuk pati ndërhyrje perëndimore”, thotë ai.

Profesor Bass beson se organizata të tilla si Kombet e Bashkuara janë më të përshtatshme për të ruajtur standardin e të drejtave të njeriut në botë.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se sa më shumë vende të jenë të bindura se diku po dhunohen të drejtat e njeriut, aq më i fortë është argumenti për ndërhyrje. //kk//

XS
SM
MD
LG