Lidhje

SHBA: zhvillohet ceremonia e çmimeve Grammy - 2004-02-09


Mbrëmë u zhvillua ceremonia e 46-të e çmimeve "Grammy", gjatë së cilës industria amerikane e muzikës nderon më të mirët e saj. Ashtu siç pritej, Beyonce doli fituesja kryesore, me 5 çmime "Grammy"; dhe ndërsa Janet Jackson u tërhoq nga ceremonia pas incidentit në ndeshjen e "Superbollit" amerikan, Justin Timberlake i cili grisi më shumë seç duhej kostumin e saj, arriti të marrë dy çmime "Grammy".

Interpretimi në pushimin e ndeshjes së "Superbollit" ishte në mendjen e të gjithëve, kur Justin Timberlake pranoi çmimin si interpretuesi më i mirë i muzikës Pop për këngën "Cry Me A River". Ai kërkoi falje për incidentin dhe tha se marrja e çmimit ishte momenti më i bukur i jetës së tij.

Kristina Aguilera mori çmimin si interpretuesja më e mirë e muzikës Pop me këngën "Beautiful". Kurse grupi më i mirë i muzikës Pop u shpall "No Doubt" me këngën "Underneath it all", këngë që Gwen Stefani e kompozoi për bashkëshortin e saj.

Fituesja kryesore ishte Beyonce me 5 çmime "Grammy", përfshi atë të albumit më të mirë R&B dhe "Interpretuesja më e mirë" e kësaj muzike. Gjithashtu, ajo ndau dy çmime "Grammy" me të dashurin e saj Jay-Z, për interpretimin e përbashkët në këngën "Crazy in Love".

Grupi britanik "Coldplay" fitoi çmimin "Grammy" për regjistrimin më të mirë të vitit me "Clocks".

Në 40 vjetorin e shfaqjes së parë televizive në Shtetet e Bashkuara në vitin 1964, grupi Beatles u nderua me Çmimin Presidencial; ndërsa grupi i muzikës alternative, Evanescence, u cilësua si "Artisti më e mirë i ri".

Grupi "Outcast" mori tre "Grammy", përfshi albumin më të mirë për muzikën Rap dhe atë "Albumi më i mirë i vitit".// lk //

XS
SM
MD
LG