Lidhje

Nacionalismi në Ballkan - 2004-02-09


Ndonëse po mbushet një dekadë nga përfundimi i luftrave në Ballkan, nacionalizmi që u bë shkaku i luftës ende nuk mund të quhet i mundur. Ish presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karadzic, i dyshuar për krime lufte, ende nuk është arrestuar. Ultranacionalistët fituan numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi. Ndërsa në Kroaci zgjedhësit kthyen në pushtet partinë e ekstremit të djathtë, udhëheqësit e së cilës morën pjesë në spastrimin etnik të Bosnjes para një dekade.

Disa studiues të çështjeve të Ballkanit thonë se luftrat në ish-Jugosllavi dhe përvoja e Luftës së Dytë Botërore, lenë të kuptohet se, në Ballkan, feja dhe disa udhëheqës nacionalistë fetarë po e acarojnë situatën politike, në vend që ta përmirësojnë atë, madje edhe sot. Në këtë drejtim, studiuesit janë të një mendimi.

Profesor Vjekoslav Perica i Universitetit të Minnesotës, thotë se katolicizmi kroat në vitet 1990 ndihmoi në konsolidimin e pozitave të ish-presidentit nacionalist Franjo Tudjman, një tjetër udhëheqës i akuzuar për krime lufte. “Monopoli i Kishës Katolike si një fe shtetërore de facto në Republikën e Kroacisë, u konsolidua me fitoren në zgjedhje të regjimit të Franjo Tudjmanit. Kisha kishte shansin të mbështeste parti të moderuara të krishtera dhe fetare, por nuk e bëri një gjë të tillë. Regjimi i Tudjmanit dhe partia e tij, Partia Demokratike Kroate dhe dega kroate e Kishës Katolike praktikisht bashkëqeverisën Kroacinë nga viti 1990 deri në vitin 1999 dhe kjo prirje pritet të vazhdojë.”

Profesorja Nicole Lindstrom e Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest thotë se partitë fetare në Ballkan nuk mund t’i kishin realizuar synimet e tyre pa “përkrahjen e partive dhe politikës nacionaliste”. Ajo i referohet një komenti të ish-presidentit të serbëve të Bosnjes Radovan Karadzic, sipas të cilit “asnjë vendim i rëndësishëm nuk është marrë pa Kishën”.

Përveç kësaj, profesor Perica thotë se në historinë e viteve të fundit Kisha Ortodokse Serbe ka qenë ndër kryesoret që i ka hedhur benzinë zjarrit të nacionalizimit. Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, shumë nga klerikët e saj ishin përkrahës të flaktë të politikave të ish-presidentit jugosllav Slobodan Miloseviç.

Profesori i Universitetit të Michiganit Robert Donia dhe autor i librit “Islami nën Shqiponjën e Dyfishtë” vë në dukje si shembull ceremoninë e varrimit të ish presidentit të Bosnjes, Alija Izetbegovic tetorin e kaluar. Gjatë ceremonisë thotë ai pjesëmarrësit shpërthyen në britma islamike, një shkëputje kjo nga praktika disa shekullore e muslimanëve të bosnjes gjatë ceremonive të varrimit. Mes myslimanëve të bosnjes thotë profesori Donia po vihet re përhapja e Wahabizmit, sekti mysliman që mbizotëron në Arabinë Saudite.

Michael Sells, profesor i teologjisë së krahasuar në Kolegjin Haverford dhe autor i librit “Ura e Tradhëtuar: Feja dhe Genocidi në Bosnje” thotë se shumë njerëz kanë idenë e gabuar se problemi në Ballkan është pasojë e antagonizmit të vjetër historik.

“Kjo është ideologjia e nacionalistëve kroatë dhe atyre serbë që pretendonin se si pasojë e antagonizmave të vjetër, njerëz të besimeve të ndryshme nuk mund të jetonin kurrë bashkë në Ballkan. Lëvizja drejt mobilizimit nacionalist fetar filloi në vitet 1990 me ndërtimin e objekteve masive, më i rëndësishmi prej të cilëve është Katedralja e Shën Savës në Beograd, që mobilizoi një politikë identiteti të ortodoksëve serbe, të bazuar në pretendimin se ky identitet po rrezikohej nga kërcënimi kroat, shqiptar dhe myslimanët e Bosnjës”, thotë ai.

Zoti Sells shton se kjo fushatë shërbeu si frymëzim i ringjalljes së nacionalizmit ekstremist fetar që arriti pikën kulmore në vitin 1989 me përkujtimin e 600 vjetorit të betejës së Fushë-Kosovës. Ai tha se ata që fillimisht e manipuluan këtë ngjarje, si Millosheviçi dhe disa peshkopë serbë që mund të jenë më shumë të prirur nga politika sesa nga feja, u kthyen shpejt në skllevër të forcave të pafre të psikologjisë në masë, frikës dhe ekstremizmit fetar.

Studiuesit e çështjeve të Ballkanit thonë se ndoshta zgjidhja më e mirë për të kapërcyer përçarjet kombëtare dhe etnike në rajon mund të gjendet në burimet laike, jo ato fetare. Ata sugjerojnë se procesi i hyrjes në Bashkimin Evropian dhe ai i ndërtimit të shtetit ligjor, që shkojnë paralel, mund të ofrojnë shpresat më të mëdha në të ardhmen e afërt. //rd//

XS
SM
MD
LG