Lidhje

Dyshja Kerri-Eduards dhe shanset e tyre në zgjedhjet presidenciale të SHBAsë - 2004-02-09


John Kerry nga Masachusets është pretendenti kryesor në garën e kandidatëve demokratë për të siguruar emërimin e Partisë për në zgjedhjet e nëntorit. Përkrahësit e tij thonë se ai është në gjendje të mundë presidentin Bush në zgjedhjet presidenciale. Një kandidat tjetër demokrat që ka dalë mirë në zgjedhjet paraprake është senatori tjetër John Edwards. Dhe analistë të ndryshëm po shprehen tani se dyshja Kerry-Edwards mund të jenë kandidatët demokratë për president dhe nënpresident.

Senatori nga shteti Masachusets John Kerry është kandidati i pakundërshtueshëm, pas një numër zgjedhjesh paraprake që janë zhvilluar deri tani. Në të njëjtën kohë, senatori nga Karolina e Veriut, John Edwards, tërhoqi shumë vemendje me fitoren e tij të ndjeshme ndaj senatorit Kerry në Karolinën e Jugut. Disa përkrahës të zotit Kerry, si për shembull anëtari i kongresit nga ky shtet, Jim Clyburn, e shikojnë senatorin Edwards si një kandidat të mundshëm për nën-president. “Mendoj se John Kerry dhe John Edwards do të përbënin një dyshe shumë të mirë.”

Gjenerali në pension Wesley Clark dhe ish guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean, janë ende në garë, por John Edwards me fushatën e tij optimiste ka tërhequr më shumë vemendjen e mjeteve të informimit. Ja si shprehen disa votues:

“Edwards nuk ka thënë asnjë fjalë negative për kandidatët e tjerë. Ai është optimist, ai të kujton të riun Jack Kennedi.”

“Ai personifikon çdo gjë të mirë dhe duket shumë mirë në televizion. ”

“Për mendimin tim ai paraqitet si John Kennedi dhe unë e doja shumë Kenedin.”

Edhe këshilltari politik i demokratëve, Tom Mills, mendon se dyshja Kerry-Edwards do të fitonte në zgjedhjet e nëntorit. Ai ka krijuar një faqe interneti për njerzit që duan të nënshkruajnë një peticion për të kërkuar dyshen Kerry-Edwards si kandidatë demokratë në zgjedhjet presidenciale. “Njerëzit janë tallur disi se kush do të fitojë emërimin e partisë demokrate. Pas zgjedhjeve në Iowa u duk se Kerry ishte në pozita të mira. Mendoj se Kerry është ende në pozita të mira, megjithatë Edwards pa dyshim që është një kandidat i fortë. Dhe në se u hedhim një vështrim këtyre dy kandiatëve, kush janë ata dhe nga vijnë, ata përbëjnë një balancë shumë të mirë.”

“Mendoj se Edwards është një demokrat i mirë. Unë me të vërtetë mendoj se ai do të bëjë ç’është e mundur për t’i ndihmuar demokratët të kthehen në pushtet. Dhe në se kandidatura për nën-president do të ndihmojë, ai do ta pranonte këtë emërim.”

Megjithë këtë diskutim, senatori Edwards nuk ka dhënë shenja se do të heqë dorë nga përpjekjet e tij për të siguruar emërimin e partisë demokrate për në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

//rd//

XS
SM
MD
LG