Lidhje

SHBA: Sot, zgjedhjet paraprake në Virginia dhe Tennesse - 2004-02-10


Pjesëmarrësit e garës së sotme janë senatori John Kerry, senatori John Edwards, gjenerali në pension Wesley Clark dhe ish-guvernatori i Vermontit, Howard Dean. Anketimet tregojnë se senatori John Kerry udhëheq si në Virginia, edhe në Tennessee. Karakteristike për fushatën në këtë fazë të saj, është se kandidatët, veç kritikave ndaj administratës, drejtojnë kritika edhe ndaj rivalëve të tyre brenda partisë. Vetëm Senatori Kerry, nuk i përmend rivalët e tij demokratë. Sulmet e tij drejtohen ndaj administratës.

"Ne së bashku, do t’i tregojmë Amerikës se në se ka një njeri i cili duhet të largohet nga posti, ai është presidenti George Bush. Pikërisht këtë do të bëjmë ne në zgjedhjet e nëntorit", - tha dje senatori Kerry.

Dy kandidatët nga jugu, John Edwards dhe Wesley Clark, kanë shpresa të mëdha për zgjedhjet e sotme, që zhvillohen në shtete jugore.

Senatori Edwards tha në një intrevistë për televizionin ABC se ai do të jetë kandidati më i fuqishëm demokrat që do të rivalizonte me presidentin Bush, pasi gëzon mbështetjen e jugut amerikan. Senatori Edwards premtoi në fjalimin e djeshëm se në qendër të programit të tij do të jetë zhdukja e varfësirë.

"Ne do t’i themi jo përgjithmonë varfërisë për ata amerikanë, të cilët punojnë me orar të plotë!"- deklaroi Edwards.

Ndërsa senatori Wesley Clark, gjatë fushatës së tij vazhdimisht ka theksuar faktin se vjen nga ushtria.

"Në se kërkoni një njeri që të ngrihet kundër politikave të ashpra të partisë republikane, ai jam unë,"- thotë zoti Clark.

Kandidati i cili nuk e rrezikon të ardhmen e garës së tij nga shtetet e jugut, është Howard Dean. Zoti Dean, i cili dikur kryesonte garën, la të kuptohet javën e kaluar se në se nuk fiton në shtetin Wisconsin, do të heqë dorë nga gara. Por përkrahësit e tij dhe 1 milionë dollarë fonde që mundi të sigurojë për fushatën, me sa duket e kanë bërë të ndryshojë mendje. "Gara ime nuk ka të bëjë thjesht me zgjedhjen time si president, ajo ka të bëjë me popullin e thjeshtë. Pra, si do të mundem unë t’i bëj ballë gjithë atyre njerëzve në rrugë, apo në internet, të cilët duan që unë ta vazhdoj garën?"- thotë zoti Dean.

Zgjedhjet e sotme do të bëjnë që të paktën dy prej kandidatëve të marrin vendime të rëndësishme, në se do ta vazhdojnë, apo jo garën. Në se Wesley Clark dhe John Edwards nuk dalin mirë në zgjedhje, ata mund të ndodhen para një trysnie të madhe brenda partisë për t’u larguar nga gara.

XS
SM
MD
LG