Lidhje

SHBA: Senatori Kerri bën një hap tjetër përpara në garën mes demokratëve - 2004-02-11


Senatori John Kerri i shtetit Masaçusets bëri edhe një hap tjetër të madh dje në garën drejt emërimit si kandidat i Partisë Demokrate për president, duke fituar zgjedhjet paraprake në shtetet jugore Virxhinia dhe Tenesi. Duket se demokratët po bashkohen rreth Senatorit Kerry si kandidati më i fortë për t’i bërë sfidë Presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit.

Senatori Kerri fitoi me rezultat mjaft të thellë në Virxhinia dhe në Tenesi, duke zhdukur kështu dyshimet se qendrimi i tij liberal nuk do të mbështetej nga demokratët në jug të vendit.

Senatori Kerry foli mbrëmë para përkrahësve të tij të entuziazmuar në Virgjinia:

“Përsëri, mesazhi është i qartë dhe i fuqishëm. Amerikanët në veri e jug, në lindje dhe në perëndim të vendit, po votojnë për ndryshim. Dhe unë jamë shumë mirënjohës për këtë gjë”, tha zoti Kerry.

Senatori i Karolinës së Veriut, John Eduards, u radhit i dyti, shumë larg pas zotit Kerry, i pasuar nga gjenerali, Uesli Klark dhe ish guvernatori i Vermontit, Howard Dean.

Sipas anketave të organizuara nga agjencitë e lajmeve tek qendrat e votimit, shumë nga demokratët dhe të pavarurit që votuan në Virxhinia e Tenesi, ishin të shqetësuar nga mbyllja e vendeve të punës, gjendja e ekonomisë, kujdesi shëndetësor dhe gjendja në Irak. Por, shumë demokratë thanë se faktori vendimtar që i shtyu ata të mbështesnin Senatorin Kerry, ishte bindja se ai do të ishte kandidati më i fortë për t’i bërë sfidë Presidentit Bush në nëntor.

Pritet që fitoret e Senatorit Kerry në shtetet jugore të rrisin trysninë ndaj rivalëve të tij demokratë që të tërhiqen nga fushata presidenciale. Gjenerali Klark shpalli tërheqjen nga gara por kandidatët e tjerë janë zotuar ta vazhdojnë garën deri në të ashtuquajturën e marta supreme, më 2 mars, kur zgjedhjet paraprake zhvillohen në dhjetë shtete.

Ish guvernatori i Vermontit, Howard Dean, shpreson të paraqitet mirë në zgjedhjet paraprake të së martës në Uiskansën, edhe pse anketat e opinionit publik tregojnë se Senatori Kerry gëzon mbështetje më të madhe edhe në atë shtet.

Zoti Dean foli dje para përkrahësve të tij në Uiskansin:

“Si demokratë, ne nuk duhet kurrë të kemi frikë të mbrojmë të drejtën e organizmit dhe të drejtën e burrave e të grave të thjeshta që të gëzojnë një stil jetese të klasës së mesme. Si demokratë, ne nuk duhet të kemi kurrë turp të kërkojmë, ashtu siç bëri Presidenti Truman në vitin 1948, kujdesin shëndetësor për çdo amerikan”, tha zoti Dean.

Ish guvernatori Dean thotë se do të vazhdojë të qendrojë në garë pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve paraprake në Uiskansën, gjë që bie në kundërshtim me deklaratën e tij të mëparshme se për të qendruar në garë atij i duhet të fitojë në atë shtet.//ii

XS
SM
MD
LG