Lidhje

Shtëpia e Bardhë publikon informacionin rreth shërbimit ushtarak të Presidentit Bush gjatë luftës në Vietnam - 2004-02-11


Zoti Bush filloi shërbimin pranë Gardës Ajrore Kombëtare në Teksas në vitin 1968, ndërkohë që niveli i trupave amerikane në Vietnam po arrinte kulmin. Garda Ajrore është një njësi rezerviste vullnetare, anëtarët e së cilës shërbejnë në shtetet e tyre dhe mund të mobilizohen në radhët e forcave të rregullta në raste të ngutshme.

Në vitin 1972, Garda e Teksasit e lejoi zotin Bush të shërbente përkohësisht në Alabama, në mënyrë që ai të vazhdonte punën në fushatën zgjedhore për në Senat të një miku të babait të tij, i cili në atë kohë ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Demokratët kërkojnë të dijnë nëse zoti Bush është paraqitur për shërbim në Alabama, pasi nuk janë gjetur dokumenta për shërbimin e tij midis majit të vitit 1972 dhe majit të vitit 1973. Por, dokumentat e posa publikuara të llogarisë tregojnë se ai ishte paguar për 9 muaj shërbim gjatë kësaj periudhe.

Komandanti i njësisë së Gardës ajrore në Alabama u ka thënë gazetarëve se nuk i kujtohet që togeri nga Teksasi të jetë paraqitur për shërbim.

Fushatës për të diskredituar shërbimin ushtarak të presidentit po i prin kreu i Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate, Terry McAullif. “Xhorxh Bushi ka kryer studimet universitare në vitin 1968, në kulmin e rekrutimit ushtarak. Me ndihmën e miqve të babait të tij, ai arriti të regjistrohet në Gardën Ajrore të Teksasit. Më pas, ai punoi për një vit në Alabama dhe nuk u paraqit për shërbim.”

Shtëpia e Bardhë thotë se dokumentet e llogarisë tregojnë se ai e ka kryer detyrën e tij. Zëdhënësi Scott McClellan u tha gazetarëve se ushtarët paguhen për shërbimin e tyre dhe dokumentat tregojnë ditët kur presidenti është paguar. “Faktet janë të qarta. Ndoshta ka njerëz që nuk janë të interesuar në fakte. Ata janë më shumë të interesuar në përpjekjet për të siguruar avantazh politik në këtë vit zgjedhjesh sesa në fakte. Kjo është fatkeqësi.”

Akuzat rreth shërbimit të tij ushtarak gjatë luftës në Vietnam e kanë shoqëruar zotin Bush që nga fushata e tij për guvernator të Teksasit 10 vjet më parë. Ai thotë se përsëritja e këtyre akuzave tregon se sezoni politik ka filluar. “Unë e kam kryer detyrën time dhe theksoj se politika është motivi pas këtyre akuzave. Nuk është hera e parë që përballem me akuza të tilla.”

Çështja e shërbimit ushtarak të presidentit është veçanërisht tërheqëse për demokratët për shkak se kandidati i tyre kryesor për t’i bërë sfidë presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit, është vetarani i dekoruar i luftës në Vietnam, Senatori John Kerry. “Nuk e di nëse John Kerri do të emrohet kandidati i Partisë Demokratike. Mua më duhet të mbajë qendrim asnjanës. Por, nëse ai emrohet, e pres me padurim debatin kur John Kerry, një hero lufte me gjoksin plotë dekorata të qendrojë përkrah Xhorxh Bushit, i cili nuk u paraqit për shërbim në Gardën Ajrore në Alabama.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Makllellan, thotë se demokratët po bëjnë akuza të pabaza rreth shërbimit ushtarak të presidentit Bush. Në intervistën e tij me rrjetin televiziv NBC, Presidenti Bush mbrojti punën e Gardës qoftë gjatë luftës në Vietnam apo në Irak. “Unë i kam dëgjuar këto akuza që kur kam hyrë në jetën politike. Unë e kam kryer me kranari detyrën time. Është e drejta e rivalëve politikë të më sulmojnë, por nuk do të denigroja shërbimin në Gardën Kombëtare. Ka shumë njerëz të mirë që kanë shërbyer në Gardë dhe shërbejnë edhe sot në Irak.”

Zoti Bush tha se po shërben në postin e presidentit në kohë lufte dhe është detyruar të marrë vendime të vështira gjatë kësaj periudhe. Pritet që çështja kryesore në fushatën presidenciale të këtij viti të jetë mënyra sesi votuesit do ta gjykojnë punën e tij përsa i përket Irakut dhe gjendjen e ekonomisë amerikane.

XS
SM
MD
LG