Lidhje

Carla Del Ponte: Karaxhiçi dhe Mlladiçi fshihen në Beograd - 2004-02-12


Krye-prokurorja e Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës me seli në Hagë thotë se një prej të dyshuarve më të kërkuar nga gjykata, Radovan Karaxhiç, jeton në kryeqytetin e Sërbisë, Beograd.

Krye-prokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte tha dje se ajo ka marrë informacione nga ato që ajo i cilësoi burime të besueshme se Beogradi është bërë një “strehë e sigurtë” për ish presidentin e sërbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe për më shumë se 10 persona të tjerë të akuzuar për krime të ndryshme.

Më parë zonja del Ponte njoftoi se edhe këshilltari ushtarak i zotit Karaxhiç, gjenerali Ratko Mlladiç, fshihet në Sërbi me mbështetjen e ushtrisë sërbe.

Që të dy janë akuzuar se nuk morën asnjë masë për të ndaluar krimin më të rëndë që prej luftës së dytë botërore gjatë konflikteve etnike në vitet 1990-të, të cilat shkatërruan Jugosllavinë.

Krimi u krye në vitin 1995 në Srebrenicë, ku sipas hetusve, forcat sërbe vranë deri në 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Zonja del Ponte tha se “njerzit e niveleve më të larta” të cilët akuzohen për krime lufte, ndodhen tani në Sërbi. Ajo theksoi se zyra e saj ka ndërprerë marrëdhëniet me qeverinë sërbe.

Disa analistë të Ballkanit thonë se zoti Karaxhiç ka të ngjarë të ketë arritur në Beograd në muajin janar gjatë një operacioni masiv të NATO-s, i cili kishte për qëllim kapjen e tij.

Zyrtarë sërbë thanë se prokurorja del Ponte duhet të japë adresën për zotin Karaxhiç dhe personat e tjerë, që thuhet se fshihen në Beograd, qytet me një popullsi prej 1 milion e gjysëm banorësh.

Kryeministri i Sërbisë, Zoran Zhivkoviç, u tha gazetarëve se zonja del Ponte nuk ka dhënë kurrë ndonjë informacion ose ndonjë ndihmë tjetër, që mund të çonte në arrestimin e personave të akuzuar për krime lufte.

Ministria e Brëndshme sërbe shtoi se Sërbia nuk ka ndonjë informacion që mund të konfirmojë pretendimet e saj.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e ka bërë më se të qartë se dorëzimi i të akuzuarve për krime lufte në Hagë është një kusht i rëndësishëm për çbllokimin e paketave të ndihmave prej shumë miliarda dollarësh për Sërbinë, e cila ka shumë nevojë për to pas një dekade luftërash dhe konfliktesh etnike.

//ze//

XS
SM
MD
LG