Lidhje

Historia e partive politike amerikane - 2004-02-12


Dy partitë politike kryesore amerikane kanë një histori të gjatë. Partia Demokrate u themelua në vitin 1828, ndërsa ajo republikane në vitin 1854. Megjithëse shumë amerikanë kanë preferenca të qarta me njërën ose tjetrën parti, një numër i madh njerëzish mbeten të pavarur. Ata mund të votojnë për secilën nga këto parti në varësi të çështjeve të ndryshme që u interesojnë.

Ferrel Guillory i Universitetit të Karolinës së Veriut thotë se për këtë arsye kandidatët përpiqen të tërheqin një elektoral sa më të gjerë, gjë që e ngushton ndjeshëm dallimin mes partive:

“Thuajse që në themelimin e saj, demokracia jonë ishte e organizuar në dy parti me mbështetje të gjerë. Shpesh herë është ngatërruese për njerëz që u përkasin bindjeve të ndryshme, klasave të ndryshme ose racave dhe etniciteteve të ndryshme të bashkohen në të njëjtën parti”.

Secila parti ka qenë tradicionalisht më e suksesshme në tërheqjen e votuesve nga zona të caktuara. Për shembull, republikanët kishin përkrahje më të gjerë në veriun e pasur, ndërsa demokratët në jugun e varfër rural. Por këto prirje kanë ndryshuar, shpjegon profesori Tad Kousser i Universitetit të Kalifornisë:

“Që nga vitet ’60, Partia Demokrate ka mbështetur idenë e një qeverie të zgjeruar, me programe të shumta për ndihma sociale. Ndërsa republikanët janë dalluar për prirjet për një qeveri më të vogël dhe shkurtimin e taksave. Gjithashtu Partia Republikane ka ndjekur parimin e një qëndrimi të përgjithshëm ndaj vlerave dhe mishërimin e tyre në ligj. Kjo parti ka kundërshtuar idenë e abortit të ligjshëm dhe ka përkrahur futjen e lutjeve fetare në shkollë. Ndërsa Partia Demokrate ka mbrojtur të drejtën e gruas për të vendosur dhe ndarjen e kishës nga shteti”.

Aktualisht, Partia Demokrate mbështet edhe programet në ndihmë të grupeve tradicionalisht të keqtrajtuara, si pakicat racore. Kjo i ka dhënë Partisë Demokrate mbështetjen e shumicës së popullsisë afrikano-amerikane, por nga ana tjetër e ka dëmtuar këtë parti, pasi ka larguar votuesit e bardhë nga jugu amerikan, të cilët tani kanë kaluar në anën e Partisë Republikane. Profesori i shkencave politike në Universitetin e Miçiganit, Keneth Kollman thotë se kjo prirje vazhdon edhe sot:

“Preferencat partiake në jug janë shumë të ndërlidhura me racën. Në përgjithësi votuesit e bardhë janë republikanë, ndërsa afrikano-amerikanët përkrahin Partinë Demokrate”.

Zoti Kollman thotë se në mënyrë që demokratët të fitojnë Shtëpinë e Bardhë, ata duhet të bindin votuesit e pavendosur në jug të Shteteve të Bashkuara se është në interesin e tyre të votojnë për demokratët.

Strategjia e Partisë Demokrate për të tërhequr votat e jugut të bardhë është përqëndruar në gjendjen e ekonomisë. Ferrel Guillory thotë se kandidatët demokratë kanë theksuar rritjen e papunësisë gjatë administratës së presidentit Bush: “Pjesa jugore e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht jug-lindja, ku prodhohen tekstile dhe mobilje, ka humbur shumë vende pune, pasi industria ka hapur ndërmarrje jashtë kufijve amerikanë. Demokratët shpresojnë të shfrytëzojnë pakënaqësinë e këtyre amerikanëve për t’i tërhequr në anën e tyre”.

Republikanët, nga ana e tyre shpresojnë se shenjat e një përmirësimi ekonomik kohët e fundit do t’i ndihmojnë të fitojnë Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë.//kk//

XS
SM
MD
LG