Lidhje

Kongresi po ndërmerr hapa për reformën në imigracion - 2004-02-13


Në këtë vit zgjedhjesh, kongresi amerikan po ndërmerr hapa për të reformuar ligjet e imigracionit në vend. Por edhe pse të dyja palët, republikanët edhe demokratët, pohojnë se sistemi duhet përmirësuar, ata kanë ide të ndryshme sesi të bëhet kjo gjë.

Ndërsa politikanët vazhdojnë debatet, më shumë njerëz do të humbasin jetën gjatë përpjekjeve për të hyrë në Amerikë në mënyrë të paligjshme.

Për disa anëtarë të Kongresit, si senatori republikan, John McCain i Arizonës, reformimi i sistemit të imigracionit amerikan ka një rëndësi të madhe. Shteti i tij kufizohet me Meksikën, nga ku vijnë shumica e emigrantëve të paligjshëm.

“Kufijtë tanë nuk janë të sigurt. Nëse duam të sigurojmë popullin amerikan se do ta fitojmë luftën kundër terrorizmit, ne duhet të sigurojmë kufijtë tanë. Dhe ne nuk do ti sigurojmë kufijtë derisa tu gjejmë punëdhënës për ata që duan të punojnë dhe të ndalojmë hyrjen e njerëzve në këtë vend në mënyrë të paligjshme”, thotë zoti McCain.

Senatori thotë se jo vetëm që është i shqetësuar për sigurinë e amerikanëve, por edhe atë të imigrantëve, qindra prej të cilëve vdesin çdo vit në përpjekje për të kaluar kufirin nga Meksika. Ai i bën thirrje Kongresit të miratojë ligje të reja.

“Ka ardhur koha të punojmë për një propozim të përbashkët dhe të veprojmë para se të shpërndahet Kongresi në gusht, nëse nuk marrim masa këtë vit zgjedhjesh, qinda të tjerë do të vdesin. Prandaj duhet të veprojmë, por kam frikë se nuk do të ndodhë kështu”, thotë senatori.

Zoti McCain nuk është i vetëm. Ai dhe disa senatorë të tjerë folën në një seancë me pyetje përgjigje mbi imigracionin para një nënkomisioni të senatit lidhur me nevojën për të ndërmarrë veprime.

Kjo ishte seanca e parë që kur presidenti Bush bëri thirrje për reforma në sistemin e imigracionit duke krijuar një program për punëtorë të përkohëshëm.

Propozimi i presidentit përfshin dhënien e vizave të përkohëshme të punës punëtorëve të rinj ose atyre që punojnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të mësojmë se ku ndodhen ata.

Sipas propozimit, punonjësit që kërkojnë të punojnë duhet të gjejnë punë, nëse nuk gjenden punëtorë amerikan për ato vende pune.

Plani i Presidentit Bush u krijon mundësinë punëtorëve të përkohëshëm të shkojnë për vizitë në bendet e tyre dhe të kthehen përsëri në Amerikë. Viza e punës do të jetë për një afat 3 vjeçar, por atyre nuk do t’u jepet karta jeshile.

Senatori demokrat, Ted Kennedy i shtetit Masaçusets thotë se plani i presidentit nuk është i mjaftueshëm.

“Programi është i ngjashëm me programe të së kaluarës që i trajtonin punëtorët imigrantë si qytetarë të klasës së dytë. Ai nuk ofron status të përhershëm ligjor për miliona gra dhe burra që punojnë rëndë në komunitetet tona”.

Zoti Kennedy dhe senatori republikan, Larry Craigi shteti Idaho, kanë hartuar një propozim që përfshin një program legalizimi. Ata thanë se kanë mbështetjen e 52 senatorëve nga të dyja partitë si dhe të 400 organizatave në Shtetet e Bashkuara.

Senatori Kennedy tha se nëse administrata e presidentit Bush jep të kuptohet se do ta miratonte projekligjin, ai do të miratohej menjëherë nga të dyja dhomat e Kongresit. Por senatori pranon se mbetet shumë për t’u debatuar.

“Ndoshta nuk do të jemi në gjendje të miratojmë të gjitha ose shumicën e reformave këtë vit, por duhet të përpiqemi”.

Tani për tani, midis 8 e 15 milion imigrantëve të paligjshëm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, do t’u duhet të presin për rezultatet e këtij debati.//kk//

XS
SM
MD
LG