Lidhje

Shtëpia e Bardhë u përgjigjet kritikave për Presidentin - 2004-02-14


Shtëpia e Bardhë po u përgjigjet kritikave për shërbimin ushtarak të Presidentit Bush dhe akuzave për dështime në veprimtarinë e shërbimeve amerikane të zbulimit para sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Një zëdhënës tha të premten se Presidenti Bush ka rënë dakord të takohet jo zyrtarisht me komisionin e pavarur që po shqyrton nëse rrëmbimet terroriste në Shtetet e Bashkuara mund të ishin parandaluar. Mirëpo, ai tha se presidenti ka përjashtuar mundësinë e paraqitjes në një seancë publike me pyetje përgjigje të komisionit.

Zyrtarë të komisionit thonë se edhe Nënpresidenti Dick Cheney, ish presidenti Bill Klinton dhe ish Nënpresidenti Al-Gore, kanë pranuar të japin deponime jo zyrtare.

Shtëpia e Bardhë publikoi dosje të tjera nga shërbimi ushtarak i zotit Bush në Gardën Kombëtare, përfshirë informacion të ekzaminimeve dentare nga periudha e Luftës në Vietnam.

Një zëdhënës tha se publikimi i këtyre të dhënave ka për synim t’u kundërvihet kritikëve, të cilët po përpiqen të krijojnë atë që ai e cilësoi si përshtypje të gabuar rreth shërbimit të zotit Bush në Gardën Kombëtare.

Disa demokratë kanë vënë në pikëpyetje nëse atëherë togeri Bush është paraqitur për shërbim gjatë një pjese të madhe të periudhës 12 mujore, duke filluar nga viti 1972. Shtëpia e Bardhë thotë se ai i ka përmbushur detyrimet e tij ushtarake. //kk//

XS
SM
MD
LG