Lidhje

Trafiku i seksit, skllavëri e kohëve moderne - 2004-02-14


Shumicës së amerikanëve, fjala skllavëri u kujton shpesh imazhet e errëta të një epoke të shkuar që lidhen me skllevërit e Afrikës të cilët detyroheshin të punonin në plantacionet e botës së re. Shitblerja e qenieve njerëzore në Amerikë është shpallur e paligjshme që nga fundi i shekullit të 19. Megjithatë, sot kudo në botë ka miliona njerëz që punojnë kundër dëshirës së tyre në kushte çnjerëzore me pagë minimale ose pa u paguar fare.

Trafiku njerëzor është termi modern për të përshkruar atë që u ka ndodhur këtyre njerëzve, por vëzhguesit thonë se në fakt kemi të bëjmë me një skllavëri globale. Shumë prej viktimave shfrytëzohen për punë në industrinë komerciale të seksit. “Nëse dikush, kundër dëshirës shfrytëzohet për qëllime seksuale, i detyruar shpesh me mjete dhune, me mjete financiare dhe psikologjike, atëhere kemi të bëjmë me skllavëri”.

Ky është John Miller, drejtori i ri i zyrës amerikane për luftën kundër trafikut njerëzor. Ai thotë se prirja e tanishme në shitblerjen e qenieve njerëzore është shqetësuese.

“Shumica e njerëzve që punojnë për këtë çështje dhe për luftën kundër skllavërisë në këto 15 vitet e fundit, kanë përshtypjen se tregtia e seksit është elementi me rritjen më të shpejtë të skllavërisë. Pa dyshim që kjo pjesë e skllavërisë është më e lidhura me krimin e organizuar”. Zoti Miller thotë se skllavëria globale është burimi i tretë më i madh i të ardhurave për krimin e organizuar pas drogës dhe armëve. Kërkesa e madhe dhe të ardhurat e qendrueshme nga industria e seksit, e cila përfshin prostitucionin dhe pornografinë, e mbajnë gjallë këtë tregti të qenieve njerëzore.

Shumë nga gratë dhe vajzat të përfshira në këtë tregti vijnë nga vende me ekonomi të falimentuara dhe me shumë pak mundësi për arësim apo për punë.

Isabel Coleman, e Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë këtë në Uashington thotë se joshja e një jete më të mirë i çon vajzat në mënyrë të pavetëdijshme drejt prostitucionit. Në disa raste ato shiten madje nga vetë njerëzit e familjes.

“Ne e kemi të vështirë ta përfytyrojmë se si mund t’i shesim fëmijët tanë, por mendoj se kjo pasqyron varfërinë e thellë ku jetojnë këto familje. Në disa raste, prindërve u thuhet se vajzat e tyre do të dëgohen për t’u gjetur punë dhe do të banojnë në një konvikt. Ata dëshirojnë ta besojnë këtë duke menduar mirë për fëmijën e tyre”, thotë zonja Coleman. Por realiteti është ndryshe. Vajzat dërgohen nëpër shtëpi publike dhe detyrohen të punojnë për të larë borxhet.

Vëzhgues të tjerë, thonë se hapja e kufijve në Evropën Lindore e ka shtuar trafikun njerëzor.

Ata thonë se qeveritë e ndryshme janë të paktën pjesërisht përgjegjëse për trafikun e seksit. Sepse ky lloj trafiku do të ishte i pamundur në rast se zyrtarët do të ndërmerrnin masa serioze për pengimin e tij. Në fakt, ajo që ndodh, thonë ata, është se shumë njerëz që punojnë në pikëkalimet kufitare e bëjnë njërin sy qorr ndaj trafikantëve.

Zoti John Miller, i Departamentit amerikan të shtetit thotë se një ligj i ri i qeverisë së Shteteve të Bashkuara përcakton pakësimin e ndihmës për ato vende që nuk marrin masa për të luftuar trafikantët e qenieve njerëzore.//kk//

XS
SM
MD
LG