Lidhje

UNMIK-u do të diskutojë edhe më autoritetet e Serbisë për bisedimet Prishtinë – Beograd - 2004-02-15


Pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike të Kosovës, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, të hënën do të presë në Prishtinë shefin e Qendrës Bashkërenduese serbe për Kosovën, Nebojsha Coviç, për të diskutuar rreth bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e cështjeve teknike të interesit të përbashkët.

Zoti Holkeri paralajmëoi më herët se muaji shkurt mund të jetë periudhë e fillimit të bisedimeve ku fillimisht do të debatoheshin cështjet e personave të zhdukur dhe ato për energjetikën.

Qeveria e Kosovës tashmë ka krijuar grupet punuese, ndonëse ende nuk janë përcaktuar pjestarët e komunitetit serb në këto grupe. Ndërkaq, Nebojsha Çoviç ka paralajmëruar se anëtarët e qendrës së tij bashkrenduese do të drejtojnë këto grupe, meqë Beogradi nuk ka ende një qeveri të re edhe gati dy muaj pas zgjedhjeve të atjeshme parlamentare.

Tashmë zoti Holkeri ka siguruar gatishmërinë e të dyja palëve për bisedime, por ende nuk është përcaktuar koha dhe vendi i fillimit të tyre. Pala serbe nuk ka kundërshtuar idenë e zotit Holkeri që ato të mbahen në Prishtinë dhe Beograd, ndërsa qeveria e Kosovës mendon se zgjidhja më e mirë do të ishte një vend i tretë dhe ka propozuar Vjenën apo Shkupin.

Mëdyshjet e qeverisë së Kosovës kanë të bëjnë edhe me vështirësitë teknike me të cilat do të përballen anëtarët e grupeve punuese të Kosovës, dokumentet e të cilëve nuk njihen nga Beogradi.

Por, autoritetet vendore janë të pakënaqura posacërisht me faktin se në mungesë të një qeverie në Beograd, partner në bisedime do të jetë Qendra Bashkrenduese e Nebojsha Coviçit, të cilën ata e akuzojnë për qëndrime jokonstruktive ndaj Kosovës dhe forcim të strukturave paralele. Megjithkëtë, ata pohojnë se nuk do të pengojnë bisedimet dhe ndonëse zemërthyer, do të pranojnë që të ulen në tryezën e bisedimeve po me këtë qendër. UNMIK-u mendon se kjo nuk duhet të paraqesë ndonjë problem meqë bisedimet do të përqëndrohen ne cështje teknike dhe jo politike.

Gjatë ditëve të ardhshme mund të priten hollësi rreth takimeve të para, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që ato të shtyhen për fillimin e muajit të ardhshëm.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, delegacionet e përgjysmuara të të dyja palëve u takuan në Vjenë të Austrisë, por nuk biseduan. Problemet politike në Serbi ku dy palë zgjedhje presidenciale e parlamentare dështuan bënë që fillimi I bisedimeve të shtyhet për disa muaj me radhë.

Këto bisedime janë një nga standardet që Kosova duhet të përmbushë para se të fillojnë debatet për zgjidhjen e statusit të saj politik.//kk//

XS
SM
MD
LG