Lidhje

Debat i kandidatëve demokratë në Miluaki - 2004-02-16


Në një debat të zhvilluar dje në shtetin Wisconsin, kandidatët e Partisë Demokrate për garën presidenciale i përqendruan kritikat e tyre ndaj Presidentit Bush dhe jo kundër njëri-tjetrit. Të pesë kandidatët demokratë të mbetur në garë kritikuan mënyrën se si e trajtoi administrata luftën në Irak si dhe disa nga politikat e brendëshme të administratës.

Kryesusesi i garës, Senatori John Kerry nga shteti Massaschussetts dhe Senatori John Edwards nga Karolina e Veriut u pyetën nëse ndjenin përgjegjësi për luftën në Irak për faktin se që të dy kishin votuar për t’i dhënë Presidentit Bush autoritetin që të përdorte forcën ushtarake. Senator Kerry u përgjigj i pari duke kritikuar mënyrën se si Presidenti Bush e kishte përdorur këtë autoritet. ”Presidenti zgjodhi rrugën e gabuar dhe nxitoi drejt luftës. Tani ai po shpenzon miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë, që ne nuk kishim nevojë t’i shpenzonin në këtë mënyrë, sikur Presidenti të kishte krijuar një koalicion legjitim. Ai ka vënë në rrezik trupat tona”, tha Senatori Kerry.

Senatori John Edwards tha se është i të njëjtit mendim. Ai e ndjeu veten më mirë kur u pyet për temën që i ka siguruar pjesën më të madhe të mbështetjes - çështja e humbjes së vendeve të punës për shkak se korporatat e kanë shpërngulur prodhimin jashtë Amerikës. ”Ideja e shkurtimit të taksave për kompanitë amerikane që po shpërngulen jashtë vendit së bashku me vendet e punës, është absolutisht e çmendur në momentet që ne po humbasim miliona vende pune. Në fakt, ne duhej të ulnim taksat për kompanitë që po i mbajnë këtë vende pune në Amerikë”.

Ish-guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean, e theksoi gjithashtu këtë çështje duke ia vënë fajin për humbjen e vendeve të punës marrëveshjeve të tregëtisë së lirë. ”Marrëveshjet e tregëtisë së lirë ishin të justifikueshme, por ne kemi zgjidhur vetëm gjysmën e problemit. Kemi globalizuar të drejtat e korporatave të mëdha që të bëjnë biznes kudo në botë. Por nuk kemi globalizuar të drejtat e njeriut, të drejtat e punës dhe të mjedisit dhe ne duhet ta bëjmë realitet një gjë të tillë”, tha zoti Dean.

Senatori Kerry i cili ka votuar pro marrëveshjeve të tregëtisë së lirë në të kaluarën, tha se nuk mbështeste më asnjë marrëveshje e cila nuk përfshin klauzola që parashikojnë zbatimin e standarteve të punës dhe mjedisit.

Sondazhet e opinionit publik në shtetin Wisconsin i japin Senatorit Kerry një epërsi të dukshme, por Senatori Edwards duket se po fiton përkrahje për të dalë bindshëm në vend të dytë. Howard Dean i cili është shprehur se i duhet të fitojë në shtetin Wiskonsin në mënyrë që të qendrojë në garë, ka dhënë shenja se do të vazhdojë pavarësisht nga rezultati i votimeve të nesërme, por shumica e analistëve parashikojnë se ai mund që të tërhiqet, po qe se nuk merr shumë vota.

//rd//

XS
SM
MD
LG