Lidhje

Arrestohen katër pjestarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës - 2004-02-16


Policia e Kombeve të Bashkuara, njoftoi sot për arrestimin e katër pjestarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, në dy operacione, në rajonin e Prizrenit dhe të Prishtinës. Sipas policisë, të arrestuarit në mesin e të cilëve edhe një oficer i lartë, dyshohet se janë përgjegjës për vepra të rënda siç janë sulmet dhe vrasjet, ndërsa të gjitha viktimat e veprimeve të tyre janë shqiptarë të Kosovës. Policia thotë se arrestimet janë bërë pas hetimeve të shumta të kryera në selitë e njësive të Trupave Mbrojtëse, ndërsa operacionet janë kryer pa asnjë incident.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, ndërkohë personalisht ka njoftuar presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi dhe udhëheqës të tjerë politikë lidhur me këto arrestime. Sipas një njoftimi të lëshuar nga Misioni i Kombeve të Bahskuara, zoti Holkeri ka theksuar se operacionet e policisë janë ndërmarrë në bazë të veprimeve të individëve dhe nuk pasqyrohen në organizatat që ata u kanë takuar apo u takojnë. Duke i siguruar bashkëbiseduesit e tij se arrestimet nuk kanë të bëjnë më Trupat Mbrojtëse, zoti Holkeri ka premtuar se të arrestuarit do të kenë një gjykim të drejtë.

Ndonëse zyrtarët ndërkombëtarë nuk kanë saktësuar se për cfarë krimesh është fjala, autoritetet e Trupave Mbrojtëse ndërkaq thanë se në bazë të dokumenteve të lëshuara gjatë arrestimeve, të dyshuarit thuhet se kanë kryer veprime kriminale ndaj bashkëkombësve të tyre në verën e vitit 1998, në cilësinë e pjestarëve të ish Ustrisë Clirimtare të Kosovës. Shtabi i Përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse është shprehur shumë i shqetësuar me arestimet e sotme të cilat sipas zëdhënësit të këtyre trupave, kolonel Shemsi Sylës, janë goditje ndaj ish Ushtrisë Clirimtare dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës. “Në të njëtën kohë, këto arrestime dëmtojnë rëndë edhe qëndrueshmërinë e Trupave Mbrojtëse dhe funksionimin normal të saj, sepse bëhet fjalë për oficerë të lartë të cilët kanë rol të rëndësishëm të këtyre trupave”, tha zoti Syla. Shtabi i përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse i hedh poshtë dyshimet ndaj oficerëve të tyre dhe kundërshton, sic thuhet, synimet për të barazuar krimet e forcave serbe në Kosovë dhe luftën clirimtare te ish UCK-së.

Ndërkohë edhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi reagoi ndaj arrestimeve të sotme duke ngulur këmbë në sic thuhet, trajtimin individual e të izoluar të këtyre rasteve pa përfshirë organizatën të cilës i takojnë. Në këtë kuadër thuhet në reagimin e kryeministrit Qeveria këmbëngulë në shqyrtimin sa më të shpejtë të këtyre rasteve në mënyrë që të gjitha provat e mundshme të hetohen në procedurë të drejtë e të hapur gjyqësore. Qeveria thekson se asnjëri nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se e njëjta duhet të vlejë për të gjithë pavarësisht nga përkatësia etnike apo funksioni që mund të kenë. Qeveria e Kosovës rithekson përkrahjen e saj për TMK-në si një institucion tejet i rëndësishëm, integriteti i të cilit si tërësi duhet të respektohet dhe të mbrohen nga të gjithë, thuhet në reagimin e kryeministrit Rexhepi.

Në mesin e të arretsuarëve është edhe, Selim Krasniqi, me gradën Gjeneral brigade, komandant i zonës së dytë të TMK-së me seli në Prizren. Ky është rasti i katërtë që një komandant zone arrestohet për veprime kriminale ndaj bashkëkombësve të tyre. Gjatë dy viteve të shkuara komandanti i zonës së pestë të TMK-së, gjeneral Rrustem Mustafa është dënuar me 17 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte kundër shqiptarëve, ndërsa Daut Haradinaj nga zona e tretë është dënuar me pesë vjet heqje lirie për krime kundër bashkëkombësve të tij në fund të luftës në Kosovë.

Ndërkohë, ndaj arrestimeve të sotme ka reaguar edhe zyra e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në një deklaratë për opinion thuhet se arrestimi i disa pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të dyshuar se kanë kryer krime serioze, duhet parë si veprim të organeve për zbatim të ligjit ndaj individëve e assesi damkosje të insitucionit të rëndësishëm të Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. Si në çdo shoqëri dhe vend demokratik ku ka sundim të ligjit, të arrestuarit duhet të trajtohen në pajtim me procedurën adekuate ligjore për të dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e tyre, thuhet ne reagimin e zyrës së presidentit Rugova.

XS
SM
MD
LG