Lidhje

Presidenti Bush hap sezonin e garave me makina - 2004-02-16


Presidenti Bush hapi dje sezonin e garave me makina NASCAR. Dje presidenti Bush e kaloi fundjavën në shtetin me plot diell të Floridës mes mijëra tifozëve të garave me makina. Në një xhaketë të zezë me siglën NASCAR, presidenti Bush hapi garën në stadiumin ndërkombëtar të garave me makina në Dytona të Floridës.

Gara e djeshme dhe më e rëndësishmja e hapjes së sezonit të garave me makina tërhoqi vëmendjen e qindra mijëra tifozëve, e pse jo edhe të presidentit Bush në një kohë kur ai ka nevojë për ruajtur mbështetjen e tifozëve të sportit në prag të zgjedhjeve për Shtëpinë e Bardhë. Gara e djeshme shënoi një fitore të madhe për Dale Earnhardt, të riun, në Garën Daytona 500. Dale Earnhardt dhe Tony Stewart, që të dy ngisnin makinat Chevrolet, zhvilluan një garë të fuqishme deri në xhirot e fundit të garës. Vetëm në 19 xhirot e fundit, Earnhardt, arriti të parakalonte Stewart dhe të ruante epërsinë që i solli atij fitoren e Daytona 500.

Dale Earnhardt, i riu, është djali i kampionit të Daytona 500 në 1998, që humbi jetën tre vjet më parë në të njëjtin stadium garash. Tony Stewart zuri vendin e dytë, ndërkohë që Scott Wimmer me makinën Dodge mbajti vendin e tretë. Gjithashtu e veçantë e garës së djeshme ishte përplasja e 12 makinave që eleminoi nga gara ish kampionin që luftonte për të ruajtur titullin, Michael Waltrip.

***

Shumica e lojtarëve më të mirë të Shoqatës Kombëtare të Basketbollit ishin në Los Angeles për lojën e përvitshme të yjeve. Skuadra e ligës perëndimore e udhëhequr nga Shaquille O'Neal mundi lindorët me një rezultat 136-132. Ylli i skuadrës Lakers të Los Angeles, Shaquille O'Neal, mori pjesë për të 11 herë në lojën e përvitshme duke shënuar 24 pikë. Fitorja e djeshme për yjet e ligës perëndimore të Shoqatës Kombëtare të Basketbollit, NBA, ishte e katërta në pesë vitet e fundit kundër yjeve të lindjes.

***

Kur kampioni i boksit, Lennox Lewis, vëndosi të largohej nga ky sport para pak ditësh, padyshim që kureshtja pushtoi të gjithë se kush do ishte sfiduesi i këtij titulli. E padyshim kjo edhe mundë të ketë prishur mendjen ish kampionit të boksit në peshat e rënda George Foreman, njërit nga personat më të njohur nga bota e sportit. Njoftimet se 55 vjeçari George Foreman po e konsideron mundësinë e kthimit të tij në arenën e boksit ka habitur jo vetëm miqtë dhe tifozët e tij, por edhe kritikët e sportit. Kampioni i botës në peshat e rënda në boks në vitet 1973-74 si dhe në 1994 në moshën 45 vjeç, e bënë atë boksierin më të vjetër ndonjëherë që të mbante kurorën e kampionit.

***

Ndërkohë Shqiptari i mërguar në Gjermani, boksieri Luan Krasniqi, ka fituar titullin kampion i Evropës në peshat e renda në boks. Përfaqësuesi i Gjermanisë, Krasniqi mundi turkun Samil Sam, duke rimarrë titullin e kampionit të Evropës. Pas 12 raundesh Luan Krasniqi është shpallur kampion me vendim të jurisë së ndeshjes. Luan Krasniqi mban një rekord me 26 fitore dhe 1 humbje dhe 13 knockouts. 32 vjeçari Krasniqi mabn titullin kampion të Evropës për herë të dytë që nga 2002-shi.

//rd//

XS
SM
MD
LG