Lidhje

Iran: Khatami u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim - 2004-02-17


Presidenti i Iranit, Mohamed Khatami, u bëri thirrje iranianëve të marrin pjesë në gjedhjet parlamentare, edhe pse shumicës së kandidatëve reformistë u është ndaluar e drejta të kandidojnë.

Në një thirrje me shkrim drejtuar vendit përmes agjencisë zyrtare të lajmeve, zoti Khatami, i cili shikohet vetë si reformist, u bëri thirrje bashkëatdhetarëve të paraqiten të premten në qendrat e votimit. Ai tha se në qoftë se iranianët nuk votojnë, ata do të lejojnë një pakicë të kontrollojnë të ardhmen e vendit.

Muajin e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës skualifikoi nga zgjedhjet parlamentare rreth 2 mijë e 500 kandidatë, shumica reformistë, përfshirë 80 anëtarë të legjislaturës së tanishme.

Këshilli, anëtarët e të cilit nuk zgjedhen por emrohen nga klerikët në pushtet, ka kompetencat t’i vërë veton çdo legjislacioni dhe të skualifikojë kandidatët, për të cilët mendon se nuk veprojnë në përputhje me parimet e Republikës Islamike.

Në thirrjen e tij me shkrim, presidenti pranon se shumë iranianë nuk janë të kënaqur me sistemin politik të vendit. Por, zoti Khatami u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjdhje dhe të mundin kandidatët që nuk pëlqejnë, duke votuar për kandidatët që janë më afër pikëpamjeve të tyre.

Shumica e partive refromiste, përfshirë atë të kryesuar nga vëllai i Presidentit Khatami, do t’i bojkotojnë votimet e të premtes në shenjë proteste kundër veprimit të Këshillit të fuqishëm e konservator Mbikëqyrës.

XS
SM
MD
LG