Lidhje

Antibiotikët dhe kanceri i gjirit; Cila është dializa më e efektëshme? - 2004-02-17


Shkencëtarët thonë se përdorimi i antibiotikëve nga gratë mund të bëhet shkak për zhvillimin e kancerit në gji. Po megjithatë, shkencëtarët theksojnë se antibiotikët vazhdojnë të jenë ilaçet më të efektëshme kundër infeksioneve.

Sipas një studimi të, botuar në revistën Jama, Revista e Shoqatës së Mjekëve Amerikanë, shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje të mundëshme midis antibiotikëve dhe kancerit të gjirit. Studimi u krye nga mjekët Christine Velicer dhe John Pitter së bashku me kolegët e tyre nga universiteti i Washingtoni. Ata studiuan të dhënat mjekësore të mbi 10 mijë grave, duke filluar nga viti 1993 deri më 2001.

Nga studimi doli se gratë që përdornin antibiotike për një kohë të gjatë ishin në rrezik më të madh për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Por edhe gratë që përdornin rrallë antibiotike, ndodheshin në një shkallë të lartë rreziku për t’u prekur nga kjo sëmundje Mjekja Velicer thotë se sa më shumë që një grua kishte përdorur antibiotike aq më të mëdha ishin gjasat që ajo të prekej nga kanceri i gjirit.

Megjithatë duhet theksuar se studimi nuk arrin në përfundimin se antibiotikët e shtojnë rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Megjithatë mjekët thonë se studimi nuk do të thotë që të ndërpritet përdorimi i antibiotikëve. Mjekët janë të një mendimi se antibiotikët vazhdojnë të luajnë një rol tepër të dobishëm në mjekësi dhe se ato përbëjnë një mjet mjaft të efektshëm për trajtimin e infeksioneve.

Dializa

Çdo vit qindra mijëra vetë që vuajnë nga veshkat u duhet t’i nënshtrohen dializës, e cila është dy llojëshe; dializë peritonale, kur gjaku pastrohet brenda trupit të pacientit me anë të një tubi ose kateteri, që vendoset nga kirurgu në fund të barkut. Dhe forma e dytë është hemodializë, kur një veshkë artificiale përdoret për të larguar kimikatet dhe lëngjet e tepërta nga gjaku i pacientit. Për të kaluar ose qarkulluar gjakun e pacientit në veshkën artificiale mjekët ndërhyjnë kirurgjikisht në venat e pacientit, në krah ose në këmbë. Por cila nga këto dy dializa është më e efektëshme?

Të dhënat tregojnë se hemodializa është më e përhapur sesa dializa peritonale, por jo më e efektëshme. Shkencëtarët shprehin habinë përse hemodializa, një metodë metodë e komplikuar dhe e kushtueshme që kryehet në klinikë për personat me sëmundje kronike të veshkave është më e përhapur se sa dializa peritonale që është më e thjeshtë dhe që pacienti mund ta kryejë vetë në shtëpi.

Ky fakt del nga një studim ku tregohet se 8 përqind e pacientëve që i nënshtrohen dializës peritonale thonë se gëzojnë një kujdes shumë më të mirë mjekësor sesa 92 përqind e të sëmurëve që trajtohen me hemodializë.

Tyrone Gibson dhe Florine Walker nga Uashingtoni kalojnë 3 ditë në javë në qëndrën e dializës në klinikë. Teknikët shpenzojnë 4 orë për të siguruar pastrimin e gjakut nëpërmjet hemodializës, lloji më i përhapur mes dy dializave. 8 përqind e pacientëve në Shtetete Bashkuara trajtohen me dializë peritonale dhe 92 përqind me hemodializë.

Doktor Neal Powe pyeti pacientët për të përcaktuar nivelin e kujdesit shëndetsor, dhe të dhënat rreth dy llojeve të dializave. Mbi 600 pacientë në mbarë vendin iu përgjigjen pyetjeve me shkrim dhe një zëri thanë se dializa peritonale është më e mirë. Rezultatet janë befasuese, thotë doktor Powe, sepse pacientët që trajtohen me këtë lloj dialize thonë se dializa peritonale është më e mirë, dhe njëkohësisht numri i pacientëve që trajtohen me këtë lloj dialize është tepër i vogël.

Megjithëse janë dy metoda të ndryshme, këto dializa janë të efektëshme në pastrimin e gjakut të pacientëve me sëmundje kronike të veshkave. Por pacientët që trajtohen me hemodializë, shkojnë në klinikë 3 herë në javë për rreth 4 orë në ditë, ndërkohë që pacientët me dializë peritonale trajtojnë vetveten në shtëpi, zakonisht gjatë natës ndërsa flenë. Studimi lë të kuptohet se pacientët duhet të njihen me të gjitha alternativat e trajtimit të sëmundjes kronike të veshkave.

Doktor Powe thotë se pacientët duhet të kenë më shumë informacione rreth mundësive të mjekimit, të mirat apo pasojat e tij. Shkencëtarët thonë se tani për tani, mjekët ndoshta u rekomandojnë pacientëve hemodializën sepse kjo është një metodë e cila njihet më mirë prej tyre.

XS
SM
MD
LG