Lidhje

Partitë politike në Amerikë - 2004-02-17


Çdo katër vjet, amerikanët hedhin votat për presidentin e vendit. Këtë vit si Partia Republikane ashtu edhe ajo Demokrate do të shpenzojnë miliona dollarë për fushatën presidenciale. Republikanët shpresojnë të rizgjedhin presidentin Bush për një mandat të dytë, ndërsa demokratët shpresojnë se kandidati i tyre do t’ia kthejë Shtëpinë e Bardhë partisë së tyre.

Dy partitë politike kryesore amerikane kanë një histori të gjatë. Partia Demokrate u themelua në vitin 1828, ndërsa ajo republikane në vitin 1854. Megjithëse shumë amerikanë kanë preferenca të qarta me njërën ose tjetrën parti, një numër i madh njerëzish mbeten të pavarur. Ata mund të votojnë për secilën nga këto parti në varësi të çështjeve të ndryshme që u interesojnë.

Ferrel Guillory i Universitetit të Karolinës së Veriut thotë se për këtë arsye kandidatët përpiqen të tërheqin një elektorat sa më të gjerë, gjë që e ngushton ndjeshëm dallimin mes partive:

”Thuajse që në themelimin e saj, demokracia jonë ishte e organizuar në dy parti me mbështetje të gjerë. Shpesh herë është ngatërruese për njerëz që u përkasin bindjeve të ndryshme, klasave të ndryshme ose racave dhe etniciteteve të ndryshme të bashkohen në të njëjtën parti.”

Secila parti ka qenë tradicionalisht më e suksesshme në tërheqjen e votuesve nga zona të caktuara. Për shembull, republikanët kishin përkrahje më të gjerë në veriun e pasur, ndërsa demokratët në jugun e varfër rural. Por këto prirje kanë ndryshuar, shpjegon profesori Tad Kousser i Universitetit të Kalifornisë:

”Që nga vitet ’60, Partia Demokrate ka mbështetur idenë e një qeverie të zgjeruar, me programe të shumta për ndihma sociale. Ndërsa republikanët janë dalluar për prirjet për një qeveri më të vogël dhe shkurtimin e taksave. Gjithashtu Partia Republikane ka ndjekur parimin e një qëndrimi të përgjithshëm ndaj vlerave dhe mishërimin e tyre në ligj. Kjo parti ka kundërshtuar idenë e abortit të ligjshëm dhe ka përkrahur futjen e lutjeve fetare në shkollë. Ndërsa Partia Demokrate ka mbrojtur të drejtën e gruas për të vendosur dhe ndarjen e kishës nga shteti.”

Aktualisht, Partia Demokrate mbështet edhe programet në ndihmë të grupeve tradicionalisht të keqtrajtuara, si pakicat racore. Kjo i ka dhënë Partisë Demokrate mbështetjen e shumicës së popullsisë afrikano-amerikane, por nga ana tjetër e ka dëmtuar këtë parti, pasi ka larguar votuesit e bardhë nga jugu amerikan, të cilët tani kanë kaluar në anën e Partisë Republikane. Profesori i shkencave politike në Universitetin e Miçiganit, Keneth Kollman thotë se kjo prirje vazhdon edhe sot:

”Preferencat partiake në jug janë shumë të ndërlidhura me racën. Në përgjithësi votuesit e bardhë janë republikanë, ndërsa afrikano-amerikanët përkrahin Partinë Demokrate.”

Zoti Kollman thotë se, në mënyrë që demokratët të fitojnë Shtëpinë e Bardhë, ata duhet të bindin votuesit e pavendosur në jug të Shteteve të Bashkuara se është në interesin e tyre të votojnë për demokratët.

Strategjia e Partisë Demokrate për të tërhequr votat e jugut të bardhë është përqëndruar në gjendjen e ekonomisë. Ferrel Guillory thotë se kandidatët demokratë kanë theksuar rritjen e papunësisë gjatë administratës së presidentit Bush:

”Pjesa jugore e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht jug-lindja, ku prodhohen tekstile dhe mobilje, ka humbur shumë vende pune, pasi industria ka hapur ndërmarrje jashtë kufijve amerikanë. Demokratët shpresojnë të shfrytëzojnë pakënaqësinë e këtyre amerikanëve për t’i tërhequr në anën e tyre.”

Republikanët, nga ana e tyre shpresojnë se shenjat e një përmirësimi ekonomik kohët e fundit do t’i ndihmojnë të fitojnë Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë.

XS
SM
MD
LG