Lidhje

Tenet: Abdul Khani po përshpejtonte zhvillimin e programeve bërthamore të vendeve të tjera - 2004-02-18


Abdul Kadir Khani, babai i programit bërthamor të Pakistanit, pranoi se u ka kaluar vendeve të tjera teknologji bërthamnore. Sipas drejtorit të Agejncisë Qendrore të Zbulimit, George Tenet, rrjeti i ngritur nga zoti Khan po përshpejtonte me vite zhvillimin e programeve bërthamore të disa shteteve, përfshirë Korenë e Veriut, Iranin dhe Libinë.

Njoftohet se zoti Khan bëri disa vizita në Korenë e Veriut në kuadër të përpjekjeve për të shkëmbyer ekspertizën bërthamore të Pakistanit për raketa ballistike të Phenianit. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij shitën sekrete të qeverisë pakistaneze, përfshirë skica për centrifugë dhe pajisje të përdorura në porcesin e pasurimit të uraniumit për përdorim në prodhimin e armëve bërthamore. Siç shprehet presidenti Bush, ata gjetën mushterinjë të gatshëm në radhët e shteteve të papërgjegjshme:

“Rrjeti pakistanez shiti fluor uraniumi, gazi që procesi i centrifugimit mund ta shndërrojë në uranium të pasuar për bomba bërthamore. Abdul Khani dhe bashkëpunëtorët e tij u dhanë Libisë dhe Koresë së Veriut skica të centrifugëve të vjetër të Pakistanit, si edhe skica për modele centrifugësh më modern e më të efektshëm. Rrrjeti pakistanez i furnizoi këto vende edhe me komponentë centrifugësh e, në disa raste, edhe me centrifugë të plotë.”

Për të rritur fitimet, zoti Khan dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën një fabrikë në Malajzi për të prodhuar pjesë centrifugësh. Artikuj të tjerë për armë bërthamore janë blerë nëpërmjet operativëve të rrjetit të vendosur në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

“Qeveri të ndryshime të botës bashkëpunuan ngushtë, thotë Presidenti Bush, për të zbuluar rrjetin e zotit Khan dhe për t’i dhënë fund veprimtarisë së tij kriminale.”

“Abdul Kadir Khani i ka pranuar krimet e tij, thotë Presidenti Bush, dhe bashkëpunëtorët e tij më të lartë nuk janë më në këtë bisnes. Qeveria e Pakistanit po merr në pyetje anëtarët e rrjetit të fshehtë, nga të cilët po mëson hollësi të rëndësishme që do të ndihmojnë në parandalimin e rifillimit të veprimtarisë së tij.”

Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf, ka premtuar të shkëmbejë me qeveri të tjera dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ato që mëson rreth rrjetit të zotit Khan. Ai ka dhënë garanci se do të ndërmerren hapa për të parandaluar që persona të tjerë të bëjnë atë që ka bërë Abdul Kadir Khani. Në dritën e atyre që janë zbuluar rreth vepritarisë së zotit Khan, shumë do të presin për të parë nëse Pakistani do t’i mpërmbushë këto premtime.

XS
SM
MD
LG