Lidhje

Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri i jep fund vizitës në Shqipëri - 2004-02-19


Kryeadministratori i Kosovës, Harry Holkeri, shprehu të enjten në Tiranë optimizmin e vet për hapat e hedhur në përgatitjen e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Gjatë një konference shtypi me Ministrin e Jashtëm shqiptar, Kastriot Islami, ai e quajti “një lajm të mirë” njoftimin se delegacioni i serbëve të Kosovës iu bashkua grupeve të punës së dialogut Prishtinë - Beograd.

“Kjo është një shenjë e mirë, një lajm i mirë" - tha zoti Holkeri - "qysh kur e ardhmja e Kosovës u bazua mbi bashkëpunimin shumë etnik. Ne shpresojmë që procesi i dialogut të mund të fillojë pas disa ditësh. Pra, ne tani numërojmë ditët dhe jo më javët”.

Sipas tij, ende ka edhe disa çështje të hapura, por ndërkaq do të ftohen dy prej katër grupeve të punës që të fillojnë punën në Prishtinë; dhe ata janë grupi i punës për personat e zhdukur si dhe grupi i punës për bashkëpunimin në fushën e energjisë.

“Pala e Prishtinës është tani e gatshme dhe është njoftuar gadishmëria edhe e palës së Beogradit”, tha zoti Holkeri.

Zoti Holkeri tha se me autoritetet më të larta të Shqipërisë kishte biseduar mbi nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit rajonal.

“Veçanërisht gjatë këtyre bisedimeve u përqëndruam në luftën kundër krimit të organizuar”, duke vlerësuar faktin që Shqipëria ka ndihmuar zhvillimet në Kosovë si dhe ka mbështetur dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, tha ai.

Kryeadministratori i Kosovës, Harry Holkeri, u takua me presidentin Alfred Moisiu, kryeministrin Fatos Nano dhe ministrin e jashtëm, Kastriot Islami, gjatë një vizite dyditore në Tiranë, e cila u mbyll të enjten me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Kosovës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

XS
SM
MD
LG