Lidhje

Disa organizata mundohen të motivojnë të rinjtë për të votuar - 2004-02-19


Sipas qendrës për regjistrimin e popullësisë, shumica e të rinjve me të drejtë vote në Shtetet e Bashkuara qëndruan larg zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 duke forcuar pikëpamjen se ky grup nuk është aktiv në jetën politike.

Nga ana e tyre shumë të rinj thonë se ata nuk përfillin kandidatët pasi janë ata që nuk u kushtojnë atyre vëmendjen e duhur. Në fushatën e sivjetme po shtohen përpjekjet për të përfshirë sa më shumë të rinj amerikanë në procesin politik të vendit.

Kristen Heal, studente nga Tennessee thotë se arsyeja nuk është mungesa e interesit në politikë, porse ajo dhe shumë moshatarë të saj e shohin politikën si të mërzitshme.

“Shpesh debatet janë të gjata dhe nuk të tërheqin”, thotë studentja.

Grupe si shoqata për Wresling, Rrjeti i muzikës Hip Hop dhe kanali MTV po punojnë me Shoqatën votuese të grave dhe koalicionin për votën e të rinjve në përpjekje për të tërhequr të rinjtë të votojnë.

Këto grupe filluan një fushatë ku përfshihet një broshurë në të cilën theksohen çështjet kryesore shqetësuese për grupmoshën 18-30 vjeçare -- ekonomia, Iraku dhe sigurimi kombëtar, edukimi dhe motitivi i kandidatëve dhe pikëpamjet e tyre. Qëllimi i fushatës është të regjistrohen 20 milion të rinj votues amerikanë.

Kay Maxwell, presidentja e shoqatës së grave votuese, u bën thirrje të rinjve që të përfshihen në proces në se kërkojnë të influencojnë në politikë.

“Një votë e vetme nuk ndryshon shumë gjëra, pavarësisht nga ç’thuhet, por votat e shumë individëve kanë peshë. Ka 40 milion të rinj amerikanë të moshës nga 18-30 vjeç dhe vota e tyre ka rëndësi”.

Një grup tjetër i organizatave të shkollave të mesme, i quajtur Përgjigja e Lirisë, po përpiqet të inkurajojë të rinjtë të përfshihen në jetën politike para se të arrijnë moshën e votimit. Ky grup u formua pak pas sulmeve terroriste të shtatorit.

Studentët mund të tingëllojnë si idealistë. Por 16 vjeçarja Punnet Gumbhir thotë se këto janë çështje konkrete që ndikojnë tek të rinjtë, si edukimi e shërbimi shëndetsor.

Qëllimi i organizatës Përgjigja e Lirisë është të tërheqë 25 milion votues në zgjedhje.

Qysh nga viti 1920, shoqata e grave votuese ka informuar amerikanët për qeverinë e tyre dhe kanë inkurajuar pjesmarrje më të madhe qytetare.

Presidentja e shoqatës, Kay Maxwell thotë se shkalla e votimit në të gjitha grupmoshat ka rënë në zgjedhje. Por ajo shton se është vërtetë e shqetësuar rreth numrit të ulët të votuesve të rinj amerikanë.

“Ata janë e ardhmja e vendit. Në se ata nuk u kushtojnë rëndësi problemeve, atëherë ata që tregojnë interesim për to do të marrin vendime që do të kenë ndikim tek të gjithë të tjerët”, thotë zonja Maxwell.

Ajo thotë se përsa i takon pjesëmarrjes së të rinjve në politikën amerikane, të gjitha shenjat janë në drejtimin e duhur. Por prova do të jetë në zgjedhje kur të mësohet sesa të rinj do të votojnë.//kk//

XS
SM
MD
LG