Lidhje

Në Serbi, ende nuk është formuar një qeveri e re - 2004-02-20


Analistët në Beograd parashikojnë që kryeministri i ri do të jetë Vojisllav Koshtunica, një nacionalist i moderuar i cili u bë president i Jugosllavisë 3 vjet e gjysëm më parë, kur mundi ish-presidentin Millosheviç. Ky profesor i drejtësisë është angazhuar në përpjekjet për krijimin e një qeverie të pakicës me përfaqësues nga tri parti reformiste, të cilat do të mbështeteshin në përkrahjen e socialistëve të Sllobodan Millosheviçit për të siguruar shumicën në parlament.

Ish-diktatori Millosheviç, i cili vazhdon të jetë kryetar i Partisë Socialiste, ndodhet në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë ku po gjykohet për krime lufte. Reformistët u detyruan të kërkojnë mbështetjen e socialistëve, në përpjekje për të formuar një qeveri pa u futur në koalicion me ultra-nacionalistët, të cilët fituan numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Vladimir Matic, analist politik serb si dhe profesor në Universitetin Clemson në Karolinën e Jugut, mendon se qeveria e re mund të jetë më e qëndrueshme sesa parashikojnë skeptikët.

"Qeveria e tri partive e mbështetur nga socialistët në parlament është e interesuar që ky koalicion të funksionojë. Nga ana tjetër, po të shohësh programet e tyre, nuk shoh shumë shanse që reformat të vazhdojnë."

Profesori Matic mendon se skena politike në Serbi dhe në Ballkanin perëndimor ka ndryshuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Serbët, thotë ai, e kundërshtojnë bashkëpunimin me Gjykatën ndërkombëtare për krime lufte, pasi mendojnë se Serbia është veçuar në mënyrë të padrejtë si fajtore. Po ashtu serbët mendojnë se reformat ekonomike kanë dështuar dhe se qeveria e mëparshme reformiste bëri fare pak për të luftuar korrupsionin.

Zoti Matic mendon se si shumica shqiptare në Kosovë, ashtu edhe popullsia e Malit të Zi do të ndjehen më të pasigurtë nese partia e Sllobodan Milloshevicit fiton ligjshmëri.

Analisti serb në Washington, Obrad Kesic thotë se pavarësisht nga përbërja e qeverisë së re, ajo nuk do të zgjasë shumë.

"Edhe në skenarin më të mirë, një qeveri e suksesshme do t’i ketë ditët e numëruara. Detyra numër një para kësaj qeverie është të përgatisë kushtetutën e re. Sapo të shkruhet kushtetuta e re, me konsensus dhe me disa interpretime të ligjit, do të zhvillohen zgjedhje të reja."

Profesori Matic thotë se nëse zhvillohen zgjedhje të reja, radikalët serbë, të cilët fituan numrin më të madh të votave në zgjedhjet e kaluara, ka të ngjarë të dalin përsëri me rezultate të mira. Partia nacionaliste, thotë ai, përfaqëson alternativën popullore në dallim nga reformistët, të cilët konsiderohen të dështuar. Profesori Matic parashikon një të ardhme të afërt pesimiste për Serbinë.

"Kjo është thjesht një periudhë ndaljeje në kuadër të transformimeve të shpejta, derisa të rishqyrtojnë situatën dhe të vendosin se çfarë duan të bëjnë dhe çfarë Serbie duan të ndërtojnë."

Por profesori Matic është optimist për të ardhmen afat-gjatë. Vëzhguesit ndjehen të shqetësuar nga gjendja e ngrirë politike në Serbi. Reformatorët janë të përçarë dhe nuk kanë ndonjë vizion për shoqërinë që duan të ndërtojnë. Serbët, thonë vëzhguesit, nuk kanë hapur ndonjë debat të brendshëm mbi periudhën e Millosheviçit dhe luftrat që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata nuk kanë pikëpamje të qarta mbi bashkimin e ri dhe të brishtë me Malin e Zi dhe të ardhmen e Kosovës.

Ata thonë se duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian por nuk janë të qartë në lidhje me Naton, e cila me fushatën ajrore të vitit 1999 detyroi trupat serbe të tërhiqeshin nga Kosova. Megjithatë, thonë analistët, Serbia, me një popullsi prej 10 milion banorësh, në gjirin e një rajoni historikisht të trazuar, është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet lënë në harresë.

//ze//

XS
SM
MD
LG