Lidhje

Programi amerikan i anijeve për vajtje ardhje në hapësirë - 2004-02-20


Për 23 vjet anijet për vajtje ardhje në hapësirë kanë qënë të vetmet që janë përdorur disa herë. Ngritjet e tyre madhështore, ngarkesat e çmueshme dhe misionet e veçanta, i dallonin ato nga të tjerat. Lyn Kline, Nëndrejtoreshë e Nasës.

“Anijet për vajtje ardhje në hapësirë janë të veçanta. Ajo është anija e vetme që ripërdoret. Kjo është një arritje e madhe. Ajo ka mundësuar daljen në hapësirë jo vetëm të austonautëve tanë por edhe të partnerëve ndërkombëtarë”. Anija është përdorur si një laborator orbital, për nisjen e satelitëve, si dhe si stacion për riparimin e satelitëve. Vitet e fundit ato janë përdorur si sistem mbështetës për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

"Qëllimi kryesor do të mbetet përfundimi i Stacionit të Hapësirës, thotë zonja Kline. Jemi në gjysmën e punës dhe kur të nisim anijen përsëri, duhet të çojmë shumë elemetë të tjerë për të përfunduar këtë projekt". Para se anija të niset përsëri me misione, zonja Cline thotë se ajo do tu nënshtrohet kontrolleve të repta pas aksidentit fatal të anijes Kolumbia një vit më parë.

"Gjatë misioneve të ardhshme në hapësirë vëmendja do të përqëndrohet tek masat për kthimin e anijes dhe riparimin e pllakave izoluese, mësime këto të nxjerra nga aksidenti i Kolumbias. Misioni i tretë i anijes do të rifillojë punën për montimin e pjesëve dhe përfundimin e stacionit ndërkombëtar deri në fund të dekadës, para se ky grup anijesh të dalë nga përdorimi".

Përfundimi i programit në vitin 2010, do të bëjë që Nasa të anulojë të gjitha fluturimet për mirëmbajtjen e teleskopit Hubble, i cili ka revolucionarizuar shkencën e astronomisë me imazhet e tij magjepse të universit. Nuk ka mbetur kohë për të bërë një shërbim të pestë të teleskopit Hubble para se anija të hiqet nga përdorimi. Nasa thotë se përfundimi i misionit të anijes nuk u shkaktua nga tragjeditë e anijeve Kolumbia dhe Challenger.

“Ndjenjat e dhimbjes dhe keqardhjes ndërthurren me njëra tjetrën në këto raste", thotë Sulejman Gokuglu, shkencëtar i Nasës i cili punoi me ekuipazhin e Kolumbias. Ai thotë se tragjeditë si ajo e Kolumbias nuk duhet të ndalojnë misionet e njeriut në hapësirë të cilat duhet të kenë përparësi.

"Një miku im austronaut më ka thënë njëherë se ai që nuk shikon përtej territorit të tij, përtej banesës së tij, përtej tokës ku jeton, herët a vonë, është i destinuar të zhytet në harresë", thotë shkencëtari.

Theksi i eksplorimit të hapësirës mund të kalojë përsëri në Hënë e më pas në Mars. Nisma e re e presidentit Bush bën thirrje që Nasa të fillojë prodhdimin e anijeve për udhëtimin në Hënë e më pas në Mars.

"Nisma e re na dha një vizion për të ardhmen. Ne tani do të punojmë për prodhimin e një anije të re eksplorimi që do të shkojë në Hënë dhe më pas të çojë njeriun në Mars. Ne do të vazhdojmë shumë nga programet që kemi nisur që kanë lidhje me këtë mision madhor. Përshembull do të vazhdojmë misionet me robotë për të eksploruar Marsin. Do të vazhdojmë me astronominë satelitore. Kemi shumë satelitë vëzhgues që udhëtojnë përreth Tokës dhe mbledhin të dhëna. Kështu që do të kemi një numër misionesh që do të na ndihmojnë", thotë zonja Kline. Por vetëm një numër i kufizuar i misioneve hapësinore pritet të fillojë vitin e ardhshëm.

//rd//

XS
SM
MD
LG