Lidhje

Zgjedhje të drejtpërdrejta për popullin e Hong Kongut - 2004-02-21


Në tubime masive paqesore, qytetarët e Hong Kongut kanë shprehur mbështjetjen për demokraci. Dhjetëra mijëra veta marshuan më një janar në mbështetje të thirrjeve që kreu ekzekutiv dhe të gjithë anëtarët e legjislaturës së Hong Kongut të zgjidhen me vota të drejtpërdrejta nga populli i Hong Kongut. Por ditët e fundit, zyrtarë kinezë kanë thënë se vendimet rreth zgjedhjeve të drejtpërdrejta duhet të merren nga Pekini. Bile disa zyrtarë kinezë kanë sugjeruar se përkrahësit e zgjedhjeve të drejtpërdrejta mund të mos jenë patriotë. Përkrahësi i proceseve demokratike, Martin Lee, anëtar i legjislaturës së Hong Kongut, i ka cilësuar këto pohime si tepër shqetësuese.

Sipas ligjit të tij themeltar, Hong Kongu është një rajon i posaçëm administrativ i Kinës me një shkallë të lartë autonomie. Aktualisht, kreu ekzekutiv zgjidhet nga një komision prej 800 anëtarësh. Vetëm 50 përqind e anëtarëve të legjislaturës së Hong Kongut zgjidhen me vota të drejtpërdrejta. Gjysma tjetër emërohen nga grupe qytetare, politike, profesionale dhe biznesesh.

Sipas nenit 68 të ligjit thermeltar të Hong Kongut, objektivi përfundimtar është zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit Legjislativ me vota të drejtpërdrejta. Përkrahësit e demokracisë argumentojnë se me vota të drejtpërdrejta duhet të zgjidhet edhe kreu ekzekutiv.

Shtetet e Bashkuara, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, mbështesin me forcë proceset demokratike përmes reformës elektorale dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Hong Kong: “Ne besojmë se këto do të çojnë përpara zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe janë jetike për mirëqenien e Hong Kongut dhe qendrueshmërinë brenda kornizës një vend-dy sisteme”.

“Tani, thotë zëdhënësi Boucher, është koha për këshillime në shkallë të gjerë në Hong Kong në mënyrë që qytetarëve të tij t’u jepet mundësia të përcaktojnë vetë sistemin që është i përshtatshëm për ta.” //az//

XS
SM
MD
LG