Lidhje

Gjuha pengon prindërit imigrantë të ndihmojnë fëmijët - 2004-02-21


Një anketë e bërë nga shkollat publike të Nju Jorkut, ka arritur në përfundimin se barrierat gjuhësore po i pengojnë prindërit që të merren aq sa duhet me shkollimin e fëmijëve të tyre.

Sipas raportit të titulluar “Denied at the Door”, “Të penguar që në fillim” prindërit emigrantë që duan të jenë më të përfshirë në shkollimin e fëmijëve të tyre këtu në Shtetet e Bashkuara, shpesh përballen me pengesa për vetë faktin e mos njohjes së gjuhës aq sa duhet.

Dy organizatat kryesore që kontribuan për anketën, Koalicioni i Emigrantëve të Nju Jorkut dhe Avokatët për Fëmijët, thonë se sistemi i shkollave të qytetit të Nju Jorkut nuk po bën sa duhet për një komunikim më të efektshëm me prindërit.

Sipas anketës, afro gjysma e prindërve të intervistuar thonë se ata asnjëherë ose shumë rrallë kanë marrë letra nga shkolla që ti informojë ata rreth shkollimit të fëmijëve të tyre, në gjuhën që ata kuptojnë. Më shumë se gjysma e pjesmarrësve në anketë thonë se asnjëherë apo shumë rrallë kanë komunikuar në gjuhën amtare me dikë në shkollë rreth edukimit të fëmijëve të tyre.

Margie McHugh, drejtore ekzekutive e organizatës Koalicioni për Emigracionin në Nju Jork, thotë se anketa nxjerr në pah vështirësitë e prindërve emigrantë për të komunikuar me shkollat.

“Këtu flitet për qindra mijëra studentë, prindërit e të cilëve nuk mund të jenë aktivë në edukimin e tyre, pa një sistem përkthimi që të plotësojë këtë nevojë. Tani ky sistem nuk egziston. Nganjëherë kemi përkthime të rralla të disa dokumenteve, dhe jemi shumë larg një sistemi për të cilin kemi nevojë”.

Anketa në të cilën morën pjesë rreth një mijë prindër, është më e madhja e zhvilluar në Nju Jork. Organizatat kontribuese thonë se shkollat e Nju Jorkut po thyejnë ligjet federale, shtetërore dhe lokale duke mos patur shërbime përkthimi, sidomos kur një pjesë e konsiderueshme e qytetit është e banuar nga emigrantë.

Ana Cartagena, e di më mirë se kushdo se si ndjesh kur je i përjashtuar nga shkollimi i fëmijëve. Një emigrante nga Porto Riko, zonja Cartagena, spjegon përmes përkthyesit se si është munduar që të ndikojë në shkollimin e vajzës së saj.

“Shkolla donte ta transferonte vajzën nga programe që jepen në dy gjuhët, në programe vetëm në anglisht. Për këtë vajta të flisja me drejtorin i cili më tha të gjeja dikë që do të përkthente për mua, dhe se nëse doja të isha e interesuar për shkollimin e vajzës, duhet të mësoja anglisht. Mos dija e anglishtes nuk do të thotë se unë nuk e dua dhe nuk shqetësohem për vajzën time”.

Sipas anketës, më shumë se një e treta e prindërve kishin dokumente të dërguara nga shkolla në gjuhën angleze, të cilat nuk i kuptonin.

Një prind tjetër nga Koreja thotë se ka dy fëmijë dhe se shumë rrallë merr letra nga shkolla në gjuhën e saj amtare. Ajo thotë përmes përkthyesit se është shumë e vështirë për një prind që sapo ka emigruar në Amerikë që merr vetëm një letër që thotë, informacione të rëndësishme, përkthejeni. Kjo nuk është e mjaftueshme, shprehet ajo.

Anketuesit thonë se në vende të tjera si Los Anxhelosi dhe Siatelli, ka programe që ndihmojnë prindërit emigrantë të marrin pjesë në shkollimin e fëmijëve të tyre. Organizatat po i bëjnë thirrje zyrtarëve të qytetit të Nju Jorkut që të ndërtojnë një grup përkthimi si dhe të realizojnë përkthime drejtpërdrejt në takimet e mësuesve me prindërit.

Përkrahësit e këtyre ndryshimeve thonë se nëse ofrohen shërbime përkthimi në spanjisht dhe gjuhën kineze, kjo do të plotësonte rreth 75 përqind të nevojave për prindërit emigrantë. Ata thonë se programet në fjalë do të kushtonin rreth pesë deri në shtatë milionë dollarë në vit.//kk//

XS
SM
MD
LG